Euro 2024 është një muaj larg dhe UEFA ka publikuar një dokument me disa masa që duhen marrë parasysh në sektorin e gjyqtarëve gjatë garës.
Ajo që bie më shumë në sy është fakti se gjyqtarët mund t’i shpjegojnë vendimet që marrin vetëm kapitenëve të ekipit dhe çdo ndërhyrje nga palët e treta, duke përfshirë mungesën e respektit ose ndonjë mosmarrëveshje, mund të çojë në një sanksion disiplinor me karton të verdhë, përcjell GazetaBlic Sport.
“Ne kërkojmë nga të gjitha ekipet që të sigurojnë që kapiteni të jetë i vetmi që flet me arbitrin. Kërkojmë nga kapitenët të sigurojnë që shokët e skuadrës të mos i afrohen arbitrit, duke lejuar që bisedat të jenë të drejtpërdrejta dhe vendimi të transmetohet në kohë dhe me respekt”, thuhet në dokumentin e firmosur nga Roberto Rosetti, përgjegjës për arbitrimin në UEFA.
Më problematike mund të jetë nëse kapiteni është portier dhe loja ndodh në anën e kundërt të fushës. Më pas, UEFA propozon që një lojtar tjetër në fushë mund ta kryejë këtë rol.
/GazetaBlic Sport/