Sekretari i Përgjithshëm i AAK-së, Muharrem Nitaj, ka folur për ftesën për takim të kryeministrit Albin Kurti, gatishmërinë e tij për të diskutuar për zgjedhje dhe qëndrimin e AAK-së.
Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kurti përmes nismës për t’u takuar dhe për të diskutuar për zgjedhje, është përpjekje për të krijuar bashkëfajtorë për situatën e krijuar.
“Nisma e Kryeministrit Kurti për t’u takuar me partitë opozitare për të diskutuar për zgjedhjet, përmes shpërbërjes së parlamentit, nuk është gjë tjetër përpos përpjekje për krijuar bashkëfajtorë për situatën e krijuar, duke mos marrë asnjë përgjegjësi për vete”, thotë ai.
Nitaj vlerëson se opozita duhet të jetë e gatshme për zgjedhje, por që duhet të dihet arsyeja pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
“Unë e kuptoj që opozita, parimisht, duhet të jetë e gatshme për ta pranuar sfidën e zgjedhjeve në çdo kohë, por është shumë e rëndësishme të kuptohet se cila është arsyeja pse vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, thekson ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, problemi në vend është te qeveria dhe se lëmshi zgjidhet vetëm me dorëheqje apo shkarkim të saj.
“Në rastin tonë, nuk është problemi te parlamenti, sepse ai është funksional. Problemi është te qeveria dhe lëmshi zgjidhet vetëm me dorëheqjen ose shkarkimin e saj”, potencon Nitaj.
Tutje, sekretari i përgjithshëm i AAK-së shton se AAK ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë prej kohësh.
“Aleanca ka shumë kohë që ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë, e bindur se kjo do të ishte rrugëdalja më e mirë, por nuk jemi kuptuar drejtë, ndërkaq sot situata ka mbërritur në pothuaj të njëjtën pikë, vetëm me kushtin e amnistimit të qeverisë për krejt dështimet e saj. Kjo është politikisht e gabuar”, deklaron ai.
Nitaj thotë se AAK e mbështetë shpërbërjen e parlamentit, vetëm pas dorëheqjes së Qeverisë dhe nuk sheh arsye që të takohet me Kurtin.
“Qëndrimi i AAK-së është publik e i qartë. Ajo do ta mbështesë shpërbërjen e parlamentit, vetëm pas dorëheqjes apo shkarkimit të Qeverisë. Prandaj nuk shohim asnjë arsye të takohemi për t’u bërë pjesë e një procesi që krijon perceptimin e “fajtorit kolektiv””, potencon ai.
Krejt në fund, Nitaj thotë se “përgjegjësi kryesor për situatën e krijuar është Qeveri. Ajo duhet të tërhiqet dhe vendi të shkojë në zgjedhje”./Gazeta Blic/
LDK del me qëndrim: Kurti të japë dorëheqje, pastaj shkojmë me shpërbërje të Kuvendit


