Lajme

“Vajza rrah babanë, vëllai sulmon motrën, çifti rrahet mes vete”/ Tetë raste të dhunës në familje në Kosovë në 24 orët e fundit

05/12/2024 08:49
nga:G B

Janë shënuar tetë raste të dhunës në familje në 24 orët e fundit në Kosovë, raporton Gazeta Blic.

Kështu bëhet e ditur nga raporti 24 orësh i Policisë së Kosovës.

Dy raste kanë qenë në Prishtinë, dy në Fushë Kosovë, dy në Pejë, një në Klinë dhe një në Rahovec.

Në Prishtinë vajza e ka sulmuar babanë e saj, i cili e ka raportuar në Polici, derisa ka thënë se ajo vuan nga një sëmundje mendore.

E dyshuara gjendet në arrati.

“Prishtinë  11.05.2024 – 12:00. Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje, është sulmuar fizikisht nga vajza e tij e dyshuara femër kosovare e cila ka nevojë për tretman mjekësor-psikiatrik, pasi që vuan ka një sëmundje mendore.  Viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor ndërsa e dyshuara gjendet  në arrati”, thuhet në raport.

Rasti tjetër i dhunës në familje është sulmi fizik i një burri ndaj bashkëshortes së tij dhe po ashtu vajzës së tij.

Ai është dërguar në mbajtje, me vendim të prokurorit.

“Prishtinë 11.05.2024 – 21:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje në familje, e ka sulmuar fizikisht  bashkëshorten edhe vajzën e tij.  Njëra nga viktimat ka pranuar tretman mjekësor ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit,  është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

E, në Fushë Kosovë, një grua ka lajmëruar në polici burrin me të cilin po bashkëjetonte, i cili e ka rrahur.

Ai gjendet në arrati, ndërsa viktima është dërguar në strehimore.

“Fushë Kosovë 11.05.2024 – 00:00. Viktima femër kosovare, ka lajmëruar se është rrahur nga i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin ka bashkëjetuar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe e njëjta është dërguar në strehimore. Ndërsa i dyshuari i lartcekur gjendet në arrati”.

Në Fushë Kosovë në rastin tjetër të dhunës në familje, vëllai ka sulmuar motrën.

Ai është dërguar në mbajtje.

“Fushë Kosovë 11.05.2024 – 10:00. Viktima femër kosovare, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje në familje, është sulmuar fizikisht nga vëllai i saj. Palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit  i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

Ndërsa në Pejë, një grua ka raportuar në polici vajzën e cila, e cila me shenja të çrregullimit mendor, qe një kohë të gjatë në mënyrë të vazhdueshme është duke shfaqur agresivitet ndaj saj.

Ajo është arrestuar dhe më pas dërguar në spital për trajtim.

“Pejë 11.05.2024 – 20:20. Viktima femër kosovare, ka raportuar se vajza e saj, me shenja të çrregullimit mendor, qe një kohë të gjatë në mënyrë të vazhdueshme është duke shfaqur agresivitet ndaj saj. E dyshuara është arrestuar, është dërguar në spitalin e përgjithshëm Pejë dhe shtruar për tretman mjekësor në repartin e neuropsikiatrisë. Ndaj të dyshuarës prokurori ka lëshuar aktvendim për ndalim policor dhe e njëjta është duke u siguruar – mbikëqyrur nga njësiti policor”.

Në Pejë po ashtu një çift kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit.

Të dy janë arrestuar e më pas liruar.

“Pejë 11.05.2024 – 22:00. Është raportuar se dy të dyshuarit, çift bashkëshortor, pas një mosmarrëveshje në shtëpinë e tyre kanë ushtruar dhunë fizike ndaj njëri-tjetrit. Të dyshuarit janë arrestuar, pas intervistimit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedure të rregullt”, thuhet në raportin e policisë.

Kurse, në Klinë një grua ka raportuar në polici djalin e saj, për dhunën e ushtruar nga ai.

Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.

“Klinë  09.05.2024 – 19:00. Më 11.05.2024 viktima femër kosovare ka njoftuar se vazhdimisht është duke pësuar dhunë psikike nga djali i saj. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Ndërkaq, në Rahovec babai i dehur ka rrahur djalin e tij.

Ai është dërguar në mbajtje.

“Rahovec 11.05.2024-18:00.  Viktima mashkull kosovar, ka raportuar se babai i tij i dyshuari mashkull kosovar–nën ndikim të alkoolit, ka ushtruar dhunë në familje si dhe e ka sulmuar fizikisht viktimën. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë./Gazeta Blic/