Lajme

Franca apel Izraelit: Ndërprit menjëherë ofensivën në Rafah

05/11/2024 08:20
nga:Y I

Franca i ka kërkuar Izraelit të ndërpresë “pa vonesë” operacionin ushtarak në Rafah, i cili rrezikon të krijojë një “situatë katastrofike” për popullsinë civile në Rripin e Gazës.

Kështu thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të publikuar në rrjetin social X.

“Ne kërkojmë nga autoritetet izraelite që të ndërpresin operacionin ushtarak pa vonesë dhe të rifillojnë rrugën drejt negociatave, e vetmja mënyrë e mundshme për të arritur lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm e afatgjatë”, thuhet në shënim.

Franca gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të rihapë pikat kufitare të Rafahut midis Gazës dhe Egjiptit, në mënyrë që ndihma humanitare të mund të hyjë në territorin palestinez, dhe denoncoi sulmet e kolonëve izraelitë ndaj dërgesave të ndihmës të destinuara për Gazën, duke shtuar se autoritetet izraelite duhet t’i japin fund “dhunës“.

Edhe Afrika e Jugut i ka kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që të urdhërojë forcat izraelite të ndërpresin sulmin e tyre dhe të tërhiqen nga Rafah.

Këto deklarata vijnë ndërkohë që një luftë e ashpër po zhvillohet në lindje të Rafahut me luftëtarët e Hamasit që u zënë pritë tankeve dhe trupave me pajisje shpërthyese të improvizuara, raketa dhe zjarri snajper, ndërsa forcat izraelite futen më thellë në qytet.

/A2CNN/