Njohësi i ekonomisë, Mustafë Kadriaj, në një prononcim për GazetaBlic, u deklarua rreth situatës aktuale të tregut të duhanit në Kosovë, mangësitë e tij, trendin e cigareve elektronike, rritjen e importit e po ashtu edhe mungesën e edukimit dhe vetëdijesimin e institucioneve të shëndetit publik.
“Deri tani shitja dhe distribucioni i duhanit është konform ligjeve paraprake ku këto ligje i kanë mangësitë e veta për faktin që ka evoluar dhe avancuar tregtia e duhanit, ku krahas cigareve me filter dhe refuz, tani kemi import të cigareve elektronike ku nga viti në vit ka trend të rritjes së importit e them këtë për faktin që cigaret elektronike nuk ngarkohen me akcizë”, u deklarua ai.
“Po ashtu nuk ka një edukim dhe vetëdijesim të institucioneve të shëndetit publik për dëmin që shkakton tek qytetari”, vazhdoi ai.
Tutje, Kadriaj flet rreth veprimeve që duhet ndërmarra për të kufizuar konsumin e duhanit në Kosovë.
“Iniciativat dhe veprimet shihen nga tereni që nuk e kanë dhënë efektin e vet pozitiv për faktin që tani pihet në çdo lokal duhani”, tha ai.

Më tej, njohësi i ekonomisë tregon për pasojat ekonomike dhe kontrollin e territorit, si dhe kontrabandën me efektet negative të saj.
“Si sfida, njëherësh pasojat ekonomike që po përballet Kosova si shtet ende nuk kontrollohet territori i Kosovës sidomos në kufi me Serbinë, ku kjo kontrabandë ka efektet negative, si në arkën e shtetit dhe në shëndet publik, për faktin që dëmtohet buxheti njëherësh dëmtohet edhe konkurrenca e lirë, po ashtu rrezikohet shëndeti i qytetarit për faktin që nuk ka kontroll nga agjencioni i shëndetit publik për të vlerësuar nivelin e dëmit”, u shpreh ai.
Sipas Kadriaj, hapat që duhet të ndërmarrë qeveria lidhen me plotësimin e ligjit dhe fuqizimin e kontrollit kufitar për uljen e nivelit të kontrabandës rreth duhanit.
“Hapat qe duhet t’i merr qeveria duke ndryshuar plotësimin e ligjit për duhanin në tregti dhe në hapësirat e lejuara, njëherësh duke fuqizuar kontrollin në kufi për të ulur nivelin e kontrabandës për faktin që duhani është ndër produktet që është me interes për kontrabanduesit për faktin që si produkt fitimprurës”, përfundoi njohësi i ekonomisë Mustafë Kadriaj./Gazeta Blic/


