Lajme

Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës

05/01/2024 22:14
nga:Y I

Lëvizja për pajtimin e gjaqeve në Kosovë, vlerësohet si një moment historik për bashkimin e shqiptarëve në kohën kur regjimi serb kishte nisur të shtonte presionin dhe të vendoste masa ndaj popullit të Kosovës.

Në nisjen e kësaj lëvizje një rol të rëndësishëm kishin edhe gratë.

Sipas bashkëpunëtorit të Anton Çettës, Riza Krasniqi, ideja për pajtimin e gjaqeve ishte nga dy gra, Have Shala dhe Myrvete Dreshaj.

“Nënat dhe motrat tona asnjëherë nuk kanë qenë më aktive se gjatë lëvizjes, ato e kanë dhënë idenë, Have Shala, Myrvete Dreshaj, janë ideologe të cilat e kanë dhënë idenë. Kjo Lëvizje ishte madhështore, sepse roli i gruas ishte madhështor, udhëheqja ishte madhështore”, ka thënë Krasniqi në Tëvë 1.

Ai ka thënë se Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve, kishte tri shtylla kryesore, rolin e gruas shqiptare, harmoninë fetare dhe ndershmërinë e udhëheqjes.
Sot bëhen 34 vjet nga ngjarja e madhe për faljen e gjaqeve në Verrat e Llukës në Komunën e Deçanit.

Në këtë tubim madhështor më 1 maj 1990 morën pjesë rreth gjysmë milion shqiptarë, me ç’rast u falën më shumë se 100 gjaqe dhe ngatërresa ndër-shqiptare.