Lajme

Pulmologu: Kanceri i mushkërive në Kosovë në trend të rritjes – çdo vit deri në 45 raste të reja

05/05/2024 20:41
nga:N K

Pulmologu Gazmend Zhuri, në një intervistë për Gazeta Blic, ka folur rreth kancerit të mushkërive, derisa ka treguar se cilat janë simptomat dhe çfarë lloje të kancerit në mushkëri ekzistojnë.

Doktori tregon dhe shkaktarët e shfaqjes së kësaj sëmundje.

“Kanceri i mushkërive është ndër shkaktarët kryesorë nga sëmundjet malinje tek të dy gjinitë, si te meshkujt dhe te femrat. Te meshkujt është më i përhapur  mirëpo viteve të fundit me pirjen e duhanit dhe tek gjinia femërore përhapet dhe lajmërohet kanceri i mushkërive”, thotë ai.

Zhuri rendit shkaktarët kryesorë të shfaqjes së kësaj sëmundje.

“Shkaktarët janë të ndryshëm, si duhanprija, por dhe janë faktorët tjerë që lajmërohet kanceri, siç është, ndotja e ambientit, ndikimi i pluhurit, pastaj produktet kimike që lirohen në fabrika dhe në industritë kimike, dhe të gjitha këto që kanë veprim të drejtpërdrejtë në sistemin respirator dhe në lajmërimin e kancerit”, tha ai për Gazeta Blic.

Pulomologu Zhuri po ashtu tregon se kur shfaqen simptomat e kancerit në mushkëri dhe sa dallojnë prej sëmundjeve të tjera.

“Ajo që është më e keqja se simptomat paraqiten shumë vonë dhe në suaza të vonshme, kjo do të thotë që kanceri i mushkërive nuk ka ndonjë simptomë dhe dallon prej sëmundjeve të tjera të mushkërive, siç janë, bronhiti kronik, tuberkulozi i mushkërive”, u shpreh ai.

Tutje, pulmologu tregon se cilat mosha paraqiten për vizitë tek pulmologu dhe cilat janë simptomat.

“Personat që lajmërohen tek ne për vizitë janë mbi moshën 45 vjeç, që janë duhanpirës, që kanë koll të thatë apo me këlbazë që zgjat 2 deri në 3 javë”, deklaroi Zhuri.

Ai po ashtu shpjegon se cila është simptoma më e vonuar dhe që është në fazën e avancuar të sëmundjes së kancerit në mushkëri.

“Simptomat që paraqiten te pacientët dhe i sjell te ne është kolli me këlbazë dhe gjak, që është një alarm si për pacientin ashtu dhe për ne. Kjo simptomë është pak e vonuar, ndodh që pacienti të ketë simptoma të tillë si kolli me këlbazë dhe gjak, është në fazën e avancuar të sëmundjes”, deklaroi Zhuri për Gazeta Blic.

Krahas kësaj, ai tregon dhe cilat janë simptomat tjera të kancerit dhe cilat janë simptomat që lajmërohen në fazën më të vonshme.

“Simptomat tjera të kancerit janë lodhja, plogështia, temperatura e pa sqaruar, përkundër trajtimit me antibiotikë dhe paracetamol nuk kalon, pastaj frymëzënia, dhembja në kraharor, e cila lajmërohet në faza më të vonshme”, u shpreh ai.

Pulomologu thotë sa është në rritje kanceri i mushkërive.

“Kanceri i mushkërive në Kosovë sipas të dhënavë të Onkologjisë ekzistojnë të dhëna që është në trend të rritjes”, potencoi ai.

Krahas kësaj, ai tregon dhe shifrat e personave të prekur me kancer.

“Sipas disa të dhënave jo zyrtare, numri i të prekurve me kancer të mushkërive në Kosovë është 35 deri 45 në 100 mijë banorë, do të thotë çdo vit ka raste deri në 45 raste të reja të kancerit të mushkërive, që nuk janë të dhëna zyrtare”, deklaroi Zhuri.

Pulomologu tregon dhe sa lloje të kancerit në mushkëri kemi dhe cili lloj i kancerit në mushkëri shkakton përhapjen në pjesë tjera të trupit, si dhe trajtimin e këtyre sëmundjeve.

“Kur flasim për kancerin e mushkërive dallojmë dy lloje të kancerit të mushkërive, kanceri mikroqelizor dhe jomikroqelizor. Mikorqelizor është forma më malinje dhe kur e ka madhësinë 1 deri ne 2 cm, shkakton përhapjen në pjesë të tjera të trupit siç janë: gjëndrat limfatike, truri, mëlçia, kockat”.

“Kanceri mikrojoqelizor nëse zbulohet me kohë mund të trajtohet pa ndonjë pasojë, qoftë më intervenim kirurgjik apo me metoda tjera terapeutike. Kanceri mikroqelizor nuk trajtohet me intervenim kirurgjik por vetëm me trajtim me kemioterapi dhe rrezatim”, përfundoi Gazmend Zhuri./Gazeta Blic/

Intervista e plotë: