Lajme

Në mungesë të Mimoza Kusari-Lilës, shtyhet gjykimi për padinë për shpifje dhe fyerje ndaj Ardian Gjinit

04/22/2024 17:00
nga:G B

Për shkak të mungesës së paditëses Mimoza Kusari- Lila nuk është paraqitur të hënën në Gjykatën e Gjakovës është shtyrë seanca në rastin ku e njëjta ka paditur Ardian Gjinin për shpifje dhe fyerje.

Lidhur me këtë rast, i autorizuari i paditëses, avokat Feim Alaj, më 10 janar 2024 kishte paraqitur parashtresën përmes së cilës e ka njoftuar gjykatën se ka bërë revokimin-denoncimin e prokurës të dhënë nga e paditura Mimoza Kusari-Lila duke ia bashkëngjitur edhe shkëputjen e kontratës, për këtë arsye thirrja për seancë i është dërguar personalisht paditëses .

“Nuk prezanton paditësja ku nga fletkthesa në lëndë rezulton se “shtëpia e mbyllur gjendet në Prishtinë-deklarojnë fqinjët”, tha gjykatësja Fëllanza Knushaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo shtoi se mënyra se si është ftuar paditësja Kusari-Lila për seancën e sotme, përkatësisht nga konstatimet e bëra nga dorëzuesi i Gjykatës Themelore në Gjakovë në fletë dërgesën për dorëzim personal, nuk përkon me mënyrën e paraparë me dispozitat e LPK-së për dorëzimin e ftesës për seancë.

Ndryshe, prezent në këtë seancë nuk ishte i padituri Ardian Gjini, ndërsa prezent ishte përfaqësuesi i të paditurit, avokati Meshari Selimaj.

Ndryshe, përmes padisë së ushtruar më 13 nëntor 2017 paditësja Mimoza Kusari-Lila ka ushtruar padi për kompensimin e dëmit moral për shpifje dhe fyerje ndaj të paditurit Ardian Gjini.

Në padi thuhet se, i padituri Gjini më 2 tetor 2017 në emisionin “Magazina Lokale” në Klan Kosova kishte deklaruar duke aluduar se “znj. Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë vetes leje 23 metra larg kullës “Sylejman Vokshi”, duke i futur kështu në borxh qytetarët e Gjakovës”.

Po ashtu në padi thuhet se i padituri Gjini dhe më 24 tetor 2017 në emisionin “Rubikon” në KTV, i ka dhënë këto deklarata: “znj.Mimoza Kusari-Lila i ka dhënë tenderë bizneseve në të cilat është partner bashkëshorti, në këtë rast z.Arben Lila, duke shtuar këtu se nuk ka lënë gjë pa bërë për interesa personale.” Ka theksuar se bashkëshorti, pra “Arben Lila është partner në Fiberlink dhe në një diskotekë”.

Në padi thuhet po ashtu se në emisionin e njëjtë “Magazina Lokale” në Klan Kosova i padituri Gjini ka deklaruar se: “kryetarja e komunës, znj.Mimoza Kusari Lila ka shpronësuar tokat afër kullës “Sylejman Vokshi” për interesa personale dhe kësi soji ka zhvatur buxhetin e Komunës së Gjakovës për interes personal”.

Sipas padisë, pretendimet e të paditurit nuk qëndrojnë në asnjë rrethanë dhe në këtë rast bashkëshorti i paditëses Kusari-Lila, Arben Lila, nuk është as partner, as pronarë i “Fiberlink”-ut, e në fakt i asnjë nga bizneset të cilët kanë fituar tenderë në Komunën e Gjakovës.

Po ashtu në padi thuhet se paditësja Kusari-Lila nuk ka pasur asnjë interes personal në shpronësimin e tokave për-rreth kullës “Sylejman Vokshi”, marrë parasysh se plani urbanistik për këtë pjesë është draftuar shumë kohë para se Kusari-Lila, t’i shërbej qytetarëve të Gjakovës.

Në padi kërkohet që i padituri të detyrohet që paditëses në emër të kompensimit të dëmit moral të ia kompensojë shumën prej 9 mijë 500 euro, me kamatë ligjore prej 8%, si dhe urdhërohet që i padituri t’i bëjë kërkim-falje publike lidhur me shpifjet që i ka bërë i padituri dhe t’i demantoi ato në tërësi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjakovë më 10 qershor 2019 kishte aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e paditëses Mimoza Kusari-Lila, ndërsa, Gjykata e Apelit lëndën e kishte kthyer në rigjykim, duke aprovuar si të bazuar ankesën e përfaqësuesit të të paditurit, duke prishur aktgjykimin e Themelores me arsyetimin se qëndrimi juridik i shkallës së parë është i gabuar./BetimipërDrejtësi