Fit&Sexy

“400 euro implanti dentar në QKUK, pritet të ulet çmimi” – shefja e kirurgjisë orale shpalos detajet

04/24/2024 13:05
nga:N K

Pas 15 vitesh pauzë, Qendra Stomatologjike Universitare e Kosovës, rifilloi trajtimin stomatologjik me implantin dentar nga kirurgët oral për qytetarët e Kosovës.

Lidhur me këtë çështje në një intervistë për ,GazetaBlic, flet Lavdie Leci Morina, u.d shefe e Klinikë së Kirurgjisë Orale, rreth rritjes së numrit të kërkesave për implant dentar dhe vetëdijësimin e pacientëve.

“Duke pasur parasysh rikthimin e këtij shërbimi dentar pas një kohe të gjatë  në Klinikën e Kirurgjisë Orale, kërkesat tanimë janë të shumta dhe në rritje, poashtu, rol të rëndesishëm luan  informimi dhe vetëdijesimi  i  pacienteve sa i përket procedurave të avansuara të zëvendësimit e rehabilitimit pas dhëmbëve të humbur”, deklaroi ajo.

Tutje, ajo tregon për çmimin aktual të implanteve dentare dhe përcaktimin e tij në bazë të standardeve të tregut.

“Çmimi aktual i implanteve dentare në QKSUK  është 400 euro dhe ky çmim është vendosur  sipas  çmimores së përcaktuar  që nga viti 2007 nga Minitsria e Shëndetësisë. Ky çmim ka qenë shumë më i favorshëm duke e krahasuar me çmimin ekonomik të asaj kohe për procedurën e vendosjes së implanteve dentare”, tha ajo.

Tutje ajo foli dhe për koston financiare për implante dentare dhe rreth kërkesës zyrtare për një rishikim rreth çmimit aktual.

“Gjithmonë duke u bazuar në çmimin ekonomik të sotëm të procedurës së vendosjes së  implanteve  dentare po mendoj së nuk është aq i përballueshëm, prandaj edhe ne kemi bërë kërkesë zyrtare që sa më shpejte të rishikohet dhe bëhet vlerësimi i çmimit nga  Ministria e Shëndetësisë”, u shpreh Morina.

Poashtu Morina, tha se ka diferencë në çmime të implanteve dentare në mes të QKSUK dhe ordinancave private stomatologjike.

Sipas shefes së kirurgjisë dentare Lavdie Leci Morina, në QKSUK kostoja aktuale e implanteve dentare është mjaftueshëm me çmim të lartë.

“Kostoja e procedurës kirurgjike është 400 euro për implant dentarë. Kjo përfshinë konsultën, analizen e  rentgenit 3 dimensional, planin e terapisë dhe gjithë proceduren  kirurgjiko -orale të vendosjes së një implanti. Duke vlerësuar gjendjen e pacientit normalisht nuk përjashtohet mundësia e rritjes së kostos në rastet e nevojës për procedura kirurgjikale shtesë si ngritjën e sinusit, shtim të kockes artificiale dhe membranës kolagjene varësisht nga sasia e materialeve të përdorura”, tha ajo.

Morina gjithashtu tha se në rast të paraqitjes së nevojës për një procedurë shtesë qoftë për largimin apo shtimin e një implanti tjetër, atëherë duhet paguar shtesë.

“Nëse pas ndryshimit të planit të fillestar të trajtimit, paraqitet nevoja për një procedurë kirurgjike shtesë apo  largimi i një implanti të dështuar ose shtimi i një implanti i konsideruar i nevojshëm për stabilitetin e punimit rehabilitimit/protezës, këto duhet të paguhen si tarifë/pagesë shtesë. Nëse implanti dentar nuk arrin të integrohet brenda periudhës 3-6 mujore pas vendosjes, duhet të bëhen disa ndryshime në planin e trajtimit, që nënkupton se implanti duhet të hiqet dhe nëse ka mundësi të merret parasysh zavendësimi i tij me ndryshimin e vendit të vendosjes, pa kosto financiare”, theksoi Morina.

E në rast se pjesa kirurgjike e vendosjes së implantit konsiderohet e sukseshme dhe e përfunduar stomatologia Morina, tha se dhe me të përfundon edhe përgjegjësia e kirurgut në raport me implantin e pacientit.

E pyetur për lirimin e ndonjë kategorie nga pagesa për kryerjen e këtij shërbimi, Morina tha se nuk ka kategori të liruara nga pagesa sa i përket procedurës së vendosjeve të implanteve dentare, dhe se jemi në pritje të një vendimi dhe miratimi  të çmimorës së re sa i përket  implanteve dentare.

Për në fund shefja e Klinikës së Kirurgjisë Orale Lavdie Leci Morina, tha se pacienti duhet të bëjë vizita në mënyrë që të vlerësohet mirëmbajtja e higjienës orale për mos rrezikuar intervenimet tona kirurgjiko-protetikore, sepse në të kundërten përgjegjësia është vetëm e pacientit.

“Higjiena orale paraqet nje rol kyç në mbarëvajtjen e procesit për të mos shkaktur infeksion të mishrave të dhëmbeve dhe më tutje harxhimit të kockës së nofullës përreth implanteve , që të mos rezultoj në dështim të implantit dhe jetëgjatësisë së tij.

Pacienti  këshillohet se duhet t’i  qëndroj  rregullave strikte të higjienës orale dhe nëse parqitet nevoja për trajtim të indeve  përreth implantit, vazhdon me trajtimin sikurse çdo pacient tjetër ne Kliniken e Paradontologjisë me  Mjekësi  Orale në Qendren Klinike Stomatologjike të Kosovës”.

/GazetaBlic/