Lajme

Korrigjimi i dioptrisë me laser, metoda e shumë përdorur – Flasin oftalmologët në Kosovë

04/15/2024 20:45
nga:N K

Korrigjimi i dioptrisë me laser është metoda më e njohur për korrigjimin e dioptrisë, e cila përdoret në të gjithë botën për më shumë se 30 vjet.Korrigjimi i dioptrisë me laser ka të bëjë me heqjen e dioptrisë dhe eliminimin e aksesorëve optikë.

Oftalmologu Ardian Shabani në një prononcim për ,GazetaBlic, flet në lidhje me këtë proces dhe mundësitë e tij.

Ai tregon për avantazhet e këtij procesi të shumë përdorur.

“Avantazhet e trajtimit të dioptrisë me laser përfshijnë korrigjimin permanent të dioptrisë, poashtu është procedurë e shpejt dhe pa dhimbje si dhe është investim afatgjatë” tha ai.

Po ashtu, Shabani theksoi se ky proces ofron zgjidhje, duke shmangur nevojën për syze për persona që nuk i pëlqejnë, veçanërisht në periudha të nxehta si vera.

Tutje ai tha se rreziku për këtë proces të heqjes së dioptrisë me laser është i ulët, ndërsa efektet janë minimale në krahasim me benefitet e larta.

“Rrezikshmëria e trajtimit të dioptrisë me laser është shumë e vogël, humbja e të pamurit është ekstremisht e rrallë. Gjithashtu efektet anësore janë pothuajse asgjë në krahasim me benefitet”, u shpreh Shabani.

Shabani tutje përmendi se korrigjimi i dioptrisë me laser mund të bëhet edhe me dioptritë e mëdha deri ­8 dhe +4, ku siç thotë ai,  është i përhershëm në 98 % të rasteve, dhe vetëm në 2 % të tyre egziston mundësia e rikthimit të dioptrisë.

Lidhur me këtë çështje foli edhe Bulinda Pustina, oftalmologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo foli për avantazhet e korrigjimit të dioptrisë që bëhet në të dy mënyrat ku tregoi se  ka dallime në preferenca të personave lidhur me këtë proces.

“Korrigjimi i dioptrisë bëhet edhe me syze edhe me largim të dioptrisë me laser. Dallimi qëndron që disa persona preferojnë mos të mbajnë syze për arsye të ndryshme, si lloji i punës që ushtrojnë, për shkak të mos komforit gjatë mbajtjes së syzeve apo edhe për shkaqe estetike. Avantazhet e largimit të dioptrisë me laser qëndrojnë në atë se shikimi pas intervenimit bëhet pa syze dhe është një procedurë e sigurte me shkallë të lartë të suksesit, është procedurë e shpejtë pa dhimbje dhe koha e rekuperimit është e shkurtër”, deklaroi Pustina për GazetaBlic.

Pustina tutje tha se procesi i heqjes së dioptrisë me laser është i sigurtë dhe me efikasitet.

“Largimi i dioptrisë me laser është një procedurë e sigurt me efikasitet maksimal dhe komplikime minimale vetëm nëse performohet nga një kirurg me eksperiencë, i cili cakton indikacion të saktë se kush është kandidat i mirë për operim, në të kundërtën shkalla e komplikimeve mund të rritet”, tha ajo.

Krejt në fund, Belinda Pustina oftalmologe, përmendi se mundësitë e rikthimit të dioptrisë ekzistojnë, mirëpo në shumicën e rasteve ka faktorë parashikues që sipas saj,  një kirurg me eksperiencë mund t’i dallojë me kohë, përmes ekzaminimeve paraprake dhe mund t’i minimizojë ato. /GazetaBlic/