Kryeministri i Jordanisë, Bisher Khasawneh, ka paralajmëruar se çdo përshkallëzim në rajon do të çonte në “shtigje të rrezikshme” pasi Irani lëshoi një ditë më parë qindra drone, si dhe raketa lundrimi drejt Izraelit.
Në komentet për kabinetin, Khasawneh tha se forcat e armatosura të vendit do të përballeshin me çdo përpjekje nga çdo palë që kërkon të rrezikojë sigurinë e mbretërisë, shkruan The Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Jordania, një aleat i vendosur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kapi disa objekte fluturuese që hynë në hapësirën e saj ajrore të shtunën mbrëma për të garantuar sigurinë e qytetarëve të saj, tha një deklaratë e kabinetit të dielën.
Jordania, e cila shtrihet midis Iranit dhe Izraelit, kishte përgatitur mbrojtjen ajrore për të kapur çdo dron ose raketë që shkelte territorin e saj, i thanë Reuters dy burime rajonale të sigurisë.