Jo shumë ditë më parë trajneri kosovar, Gani Sejdiu njoftoi për largimin e tij nga posti i drejtuesit të klubit të Drenicës.
Sejdiu përmes llogarisë së tij në Facebook lajmëroi se u largua nga Drenica pa dhënë shumë detaje të kësaj ndarje me klubin kosovar.
Në një intervistë për GazetaBlic Sport, Gani Sejdiu tregoi se kishte disa mosmarrëveshje me kryesinë e klubit që dërgoi në një debat të vogël që më pas solli edhe largimin e tij.
“Nuk ishte çështje pagash ose diçka e madhe, nuk e kam pritur që do vinte deri në atë moment, por nuk ka pasur ndonjë gjë të madhe, koha jep vlerësimin për vendimet se a janë të duhura apo jo. Ka ardhur deri te një debat i cili mund të evitohej, por ky është episod i mbyllur, gjithmonë lë miq prapa vetës. Ky është sporti, nuk është diçka tragjike me sportivitet jemi ndarë, nuk jemi kuptuar”, tha ai për GazetaBlic Sport.