Serbët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza, me pasaporta të Serbisë dhe të mos kenë nevojë të pajisen me pasaporta të Kosovës.
Kjo pasi të martën Komisioni për liri qytetare dhe punë të brendshme i Parlamentit Evropian miratoi raportin për liberalizimin e vizave për bartësit e pasaportave të Serbisë, që jetojnë në territorin e Republikës së Kosovës.
Ky raport u përpilua nga deputeti slloven, Matjazh Nemec, dhe u votua me 34 vota pro.
Lidhur me këtë, ish kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Avni Arifi, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se raporti tregon bindjet e vendeve evropiane ndaj seriozitetit të Kosovës për anëtarësim të minoriteteve.
“Ky raport reflekton bindjet që sot ekzistojnë tek vendet evropiane karshi seriozitetit të Kosovës në procesin e integrimit të minoriteteve. Që nga paslufta e me përjashtim të tri viteve të fundit, institucionet e Kosovës janë përpjekur që të bindin bashkësinë ndërkombëtare se ne duam dhe mundemi që t’i integrojmë minoritetet, shpeshherë duke mbyllur sytë dhe duke dhënë të drejta edhe më të mëdha se në shumë vende tjera”, shprehet ai.
Arifi thekson se raporti e shpreh mosbesimin e Parlamentit Evropian ndaj Kosovës.
“Ky raport me të drejtë apo pa të drejtë shpreh mosbesimin që ka parlamenti Evropian ndaj Kosovës në këtë proces”, deklaron Avni Arifi./Gazeta Blic/