Analisti serb, Ognjen Gogic thotë se Lista Serbe nuk do të mund t’i bindë më votuesit në veri.
Gogic shton se, kjo është edhe arsyeja pse erdhi tek vendimi për bojkotim të zgjedhjeve në veri të Kosovës.
“Dallimi është se në rast bojkoti ata mund të kundërshtojnë legjitimitetin e votimit. Nëse do të merrnin pjesë në votim dhe do të humbnin, nuk do të mund të vinin në dyshim ligjshmërinë e procesit”, tha ai.
“Regjistri i zgjedhësve në komunat veriore është i fryrë. Shumë më pak njerëz jetojnë në veri të Kosovës sesa do të tregonte regjistri i votuesve. Së dyti, serbët në veri të Kosovës janë të zhgënjyer dhe apatikë kur është fjala për politikën në përgjithësi. Ata nuk i besojnë më Listës Serbe. Lista Serbe nuk do të arrinte t’i bindte të votonin. Serbët nuk e kuptojnë pse u thirrën që të bojkotojnë zgjedhjet vitin e kaluar”, shton ai për GazetaBlic.
Por, sipas tij serbët në veri nuk i besojnë as Qeverisë së Kosovës.
“Së fundi, ata nuk i besojnë as Qeverisë së Kosovës. Ata mendojnë se institucionet nga Prishtina do ta pengonin procesin për t’i mbajtur kryetarët shqiptarë në detyrë sa më gjatë. Prandaj, ata nuk shohin asnjë kuptim të votojnë për largimin e tyre. Duke marrë parasysh të gjitha këto, Lista Serbe supozoi se nuk do të ishte e mundur të merrte mjaft serb për të votuar në referendum. Prandaj, për Listën Serbe ishte më e sigurt që të bënte thirrje për bojkot të referendumeve”, tha ai.
Radomir Dimic thotë se nuk e ka befasuar vendimi i Listës Serbe për bojkotimin e shkarkimit të kryetarëve shqiptar.
Dimic, ish-gazetar, thotë për GazetaBlic se, Lista Serbe nuk punon pa instrukcionet e Beogradit.
“Kur është në pyetje koalicioni i Listës Serbe me Qeverinë e Kosovës, asgjë nuk më befason, sepse të gjithë e dijmë që Lista Serbe asgjë nuk punon pa instrukcionet e Beogradit. Mua kjo e tëra më duket si një treg i egër politik, i cili punon në dëm të qytetarëve të tij”, tha Dimic.
“A është kjo, ajo Lista Serbe e cila i thirri sërbët e Mitrovicës së veriut që ta bojkotojnë peticionin për shkarkimin e të gjithë kryetarëve të komunitetit shqiptar, të atyre komunave, e tani e kundërshtojnë të njejtin peticion. Nuk është aspak vështirë që të konkludohet se e tëra kjo bëhet me rekomandimin e dikujt tjetër si dhe e urdhërave e atyre më lartë, që t’i lëshojnë të gjitha institucionet e Kosovës. Kjo do të thotë se është një lojë jo serioze me ata njerëz atje”, tha Dimic.
Sipas tij, bojkotimi i zgjedhjeve nuk është i kuptimtë dhe i pabazë.
“Në të vërtetë kjo arsye për bojkotimin e zgjedhjeve të 21 Prillit të cilat janë caktuar nga KQZ- ja e Kosovës është shumë i pakuptimët dhe i pabazë, sepse kryetari i Listës Serbe, thirret në atë kinse numri i shqipëtarëve në ato komuna është rritur për 433%, e cila me asgjë nuk është argumentuar dhe së fundi se çfarë lidhje ka Kurti me këtë”, tha Dimic.
Sipas Dimicit, vazhdimi i krizës në veri të Kosovës është e vetmja arsye pse erdhi Lista Serbe me këtë vendim, teksa shton edhe kundërshtimin e Serbisë për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
“Unë mendoj që diçka tjetër është në pyetje, e kjo është që të vazhdoj kriza politike në këtë pjesë të Kosovës. Por, edhe për faktin që Serbia po e kundërshton pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për arsyse se para ca ditësh Aleksandër Vuqiq e formoi grupin punues për ta kundërshtuar pranimin e Kosovës në këto institucione, e që është, mendoj unë, në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit e dakorduar ndërmjet Prishtinës e Beogradit, nën mbikqyrjen e faktorit ndërkombëtar, lidhur me atë që mos të pengohet Prishtina në qarqet e Organizatave Ndërkombëtare”, tha Dimic.
“Kjo politikë fatkeqësisht nuk shpie askund, pasi që kjo nuk është në frymen e dialogut dhe të implementimit të obligimeve të cilat të dy palët i kanë pranuar në dialogjet tripalëshe”, shton ai.
/GazetaBlic/