Lajme

Lista Serbe bojkoton shkarkimin e kryetarëve në veri, reagon ambasada amerikane

04/08/2024 14:22
nga:G C

Lista Serbe ka njoftuar se do të bojkotojë shkarkimin e katër kryetarë në komunat veriorë.

Në lidhje me këtë ka reaguar ambasada amerikane në Kosovë, të cilët në një përgjigje për Dukagjinin kanë shprehu keqardhje për këtë.

“Mundësi pjesëmarrjeje kanë të gjithë qytetarët e regjistruar në veri të Kosovës. Na vjen keq për deklaratën e Listës Serbe se ata do të tërhiqen nga pjesëmarrja në votimin për shkarkimin e kryetarëve”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.

Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që “të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri”.

“Pjesëmarrja demokratike ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Presim që Qeveria e Kosovës të jetë e ndjeshme ndaj shqetësimeve të qytetarëve të saj në veri të Kosovës gjatë gjithë këtij procesi. Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë do të vazhdojnë ta ndjekin këtë proces nga afër”, thuhet më tej në përgjigje.

Kurse më herët është njoftuar se anëtarët e komisioneve komunale zgjedhore (KKZ) në veri nga Lista Serbe kanë dhënë dorëheqje.

Këtë e konfirmoi për Dukagjinin, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se katër anëtarët e Listës Serbe, për anëtarët e Komisioneve Komunale për Leposaviq, Zvecan, Zubin Potok e Mitrovicë të Veriut kanë dhënë dorëheqje.

“Mund t’ua konfirmoj se kemi pranuar dorëheqjet nga katër anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve për komunat Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, të cilët janë emëruar më parë nga KQZ si përfaqësues të subjektit politik Lista Serbe. Në mbledhjet e kaluara, KQZ ka funksionalizuar Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në këto katër komuna, duke caktuar 4 Zyrtarët Ekzekutiv, të cilët njëkohësisht janë kryesues të KKZ-së si dhe ka marrë vendim për emërimin e 27 anëtarëve, të cilë përfaqësojnë subjektet politike parlamentare. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, KKZ administron zgjedhjet brenda komunës përkatëse, nën mbikëqyrjen eksklusive dhe udhëzimet e KQZ-së”, tha ai.