Skuadra e Trepçës 89′ ndodhet momentalisht në vendin e parë në tabelë në grupin A të Ligës së Parë në Futboll.
Ekipi i Idrizit fitoi ndaj Dinamos së Ferizaj në xhiron e kaluar me rezultatin 2-1, për të rrëmbyer tre pikë të arta, që e dërgojnë në vendin e parë në tabelë, përcjell GazetaBlic Sport.
Kapiteni i Trepçës 89′, Lulzim Peci tha se skuadra po luan mirë dhe se atmosfera është shumë e mirë tek mitrovicasit, andaj duan inkuadrimin në elitën e futbollit vendor.
“Natyrisht se pas kësaj serie të fitoreve jemi kthyer në garën për t’u inkuadruar në Superligë, atmosfera në ekip është shumë e mirë dhe jemi duke punuar shumë për arritjen e objektivit të klubit, pra inkuadrimit në Superligë”, tha fillimisht Lulzim Peci për ‘GazetaBlic Sport’.
Sipas kapitenit të Trepçës 89′, gara nuk do jetë e lehtë, megjithatë ata do tentojnë deri në fund që të kthehen në Superligë.
“E dijmë që gara do të jetë e fortë deri në fund, por jemi duke u përgatitur maksimalisht për ndeshjet e radhës. Shpresoj që me shokët e skuadrës të arrijmë objektivin e klubit dhe të kthehemi aty ku e kemi vendin, në elitën e futbollit kosovar”, përfundoi Peci.
/GazetaBlic Sport

