Vjosë Avdiu, nga Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar në Kosovë u deklarua rreth vonesës miratimit të Projektligjit për vlerësimin, njohjen e statusit, përfitimet dhe shërbimet për personat për këtë kategori.
Në një prononcim për GazetaBlic, ajo tregon se shkaktarët e kësaj vonese janë ndryshimet e grupit punues dhe tentativës për të arritur konsensus të përbashkët.
“Fillimisht është vonuar kryesisht për shkak të ndryshimit të grupit punues, më pas për shkak të tentativës për të arritur konsensus të përbashkët të të gjithë akterëve relevantë”, tha ajo.
Tutje shtoi se për këtë kategori duhet të krijohen kushtet për një trajtim më të barabartë.
“Është e rëndësishme që kësaj kategorie të ndjeshme të shoqërisë t’i krijohen kushtet për një jetë më të dinjitetshme në Kosovë, me pjesëmarrje në shoqëri dhe sferat e tjera në mënyrë të barabartë për të gjitha kategoritë e personave me aftësi të kufizuar në raport me pjesën tjetër të shoqërisë” , theksoi ajo.
Avdiu tha poashtu se ky projektligj parasheh të drejtat bazë që u garantohen kësaj kategorie dhe që kjo kategori duhet t’i gëzojë.
“Në të parashihen: të drejtat bazë që u garantohen kësaj kategorie, mënyra e vlerësimit të aftësisë së kufizuar, llojet e aftësisë së kufizuar, komisionet për vlerësimin e aftësisë së kufizuar, roli i Qendrës për Punë Sociale sa i përket aftësisë së kufizuar, Kartela për personat me aftësi të kufizuar, mbështetja financiare për kategoritë e personave me aftësi të kufizuar, ndihmësi personal, çështja e inkontinencës, mobiliteti dhe qasja, poashtu lehtësirat nga taksat dhe tatimet, por edhe shumë elemente të tjera”, u shpreh ajo.
Gjithashtu, ky projketligj prek dhe kujdesin shëndetësor, edukimin/arsimimin, po ashtu intervenimin e hershëm tek fëmija me aftësi të kufizuar dhe familja e tij, mbrojtjen dhe sigurinë, veprimtarinë kulturore, kontrollimin dhe mbikëqyrjen e skemave pensionale, shërbimeve sociale dhe monitorimin e punë së komisioneve profesionale.
Po ashtu Avdiu përmendi dhe sfidat me të cilat kjo kategori përballet.
“Problemet financiare për shkak të rritjes së kostos së jetës në njërën anë dhe përkrahjes financiare të vogël, në anën tjetër është mungesa e aksesit në shërbime dhe infrastrukturë. Ata gjithashtu përballen edhe me sfida në fushën e arsimimit, kanë mungesë të kushteve adekuate për punësim, mungesë të kujdesit dhe mbështetjes shëndetësore”, tha Avdiu.
Ndër të tjerash, për fund, Vjosë Avdiu zyrtare ligjore për të drejta të njeriut u shpreh se qasja në shërbimet dhe resurset për personat me aftësi të kufizuara në nivel vendas mund të përmirësohet përmes hartimit dhe zbatimit të legjislacionit adekuat në këtë fushë, informimit të kësaj kategorie me legjislacionin në fuqi dhe e popullatës tjetër për këtë legjislacion.
/GazetaBlic/