Geek

Sulmet kibernetike, eksperti i sigurisë paralajmëron: Nga këto dy vende Kosova mund të rrezikohet

04/09/2024 08:30
nga:N K

Eksperti i sigurisë kibernetike, Blerton Abazi ka treguar gjendjen e Kosovës në lidhje me sigurinë kibernetike, dhe rrezikimin e shteteve që mund të sulmojnë vendin tonë.

“Shteti i Kosovës është mjaftueshëm i mbrojtur sa i përket sulmeve kibernetike, dhe duhet kujdes në pranimin e e-mailave dhe njoftimeve që klikojnë zyrtarët shtetërorë potencoi Abazi për GazetaBlic.

“Ne si shtet i Kosovës jemi realitivisht të mbrojtur sa i përket sulmeve kibernetike në konsiderim me sistemet tona funksionale shtetërore që janë jashtëzakonisht aktive dhe stabile në këtë pjesë”, tha ai.

Në lidhje me ligjin për siguri kibernetike në Kosovë, Abazi ka treguar se ky ligj është në mbështetje të institucioneve publike dhe ato private.

“Ligji për siguri kibernetike është aprovuar vitin e kaluar dhe prej saj vin dhe aktivitetet të tjera, ku një prej tyre është edhe themelimi i Qendrës shtetërore për trajtime të sigurisë kibernetike në kuadër të Ministrisë së mbrojtjes së Republikës së Kosovës, e cila është inaguruar në muajin mars të këtij viti. Themelimi i agjensionit për siguri kibernetike  do të jetë një agjension mbështetës për sektorin publik dhe atë privat në strukturat tjera të Kosovës”, tha ai tutje.

Sa i përket ndërmarrjes së organeve kompetente në raport me sulmet kibernetike Abazi tha se, këto institucione janë aktive në ndalimin e këtyre sulmeve.

“Organet kompetente gjatë gjithë kohës janë aktive, ne jemi duke parë se shteti i Kosovës është e mbrojtur ndaj këtyre sistemeve për sulme kibernetike,  deri më tani nuk jemi hasur me ndonje sulm i cili ka ndikuar që të ndalohen proceset e shërbimeve të caktuara të cilat ofrohen për qytetarët e Kosovës”, potencoi ai.

Identifikimi i hakerëve kibernetike që i realizojnë këto sulme kibernetike dhe cakun e shteteve sipas Abazit, janë të ndërlidhura dhe janë me qëllim të pa identifikueshëm.

“Sulmet kibernetike të cilat e sulmojnë shtetin, kryesisht quhen si sulme të strukturuara dhe çdo kriminel kibernetik apo haker që tenton të sulmojë, patjetër që i merr masat e veta që të mos identifikohet. Zakonisht sulmet më të mëdha kibernetike, ndodhin deri në atë pikën në të cilën sulmuesi nuk do të identifikohet dhe pastaj ai do të tërhiqet nga ato sulme”, tha ai.

Eksperti i sigurise kibernetike i pyetur për luftimin e kësaj dukurie, tha se çështja e sulmeve kibernetike për punëtorët e sektorit publik mund të parandalohet duke mos pranuar çdo link dhe e-mail.

“Dukuria e sulmeve kibernetike mund të luftohet në disa forma, e para është shumë e rëndësishme që janë trajnimet dhe ngritja e vetëdijes për sigurinë kibernetike, sidomos ndaj zyrtarëve publikë të cilët duhe të kenë kujdes se çfarë njoftimesh apo e-mail ju dërgojnë ata dhe në qfarë linke ata klikojnë”, deklaroi Abazi.

Kosova në vitet 2016/2017 sipas Abazit ka pasur tentativë për sulme kibernetike, por informimi i zyrtarëve të caktuar në lidhje me këtë çështje ka ndikuar në parandalimin e kësaj dukurie.

“Kosova në vitin 2016/2017  ka pasur një tentativë të sulmeve kompjuterike më të mëdha, mirëpo ato sulme kanë qenë vetëm sulme, sepse ka pasur mohim të shërbimeve për të cilat shteti i Kosovës, së bashku me infrastrukutrën dhe zyrtarët e caktuar përgjegjës kanë arritur që me sukses t’ju mbijetojnë atyre sulmeve”, tha tutje ai.

Sipas Abazit, shteti i Kosovës, në të ardhmen mund të jetë i rrezikuar me sulme hibride nga shteti i Serbisë dhe Rusisë.

“Për ne rrezikshmëria është e pritur nga sulmet hibride nga Serbia dhe Rusia, por gjithashtu nuk përjashtohen edhe vendet tjera dhe grupet e ndryshme të organizuara jo vetëm shtetërore, por edhe grupet tjera kriminale të cilat tentojnë që përmes sulmeve kibernetike të mos kenë këto shërbime ndaj qytetarëve për krijimin e një panike ndaj shtetasëve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

“Sulmet kibernetike mund të jenë funksionale, jo vetëm nga faktorët e jashtëm, por edhe nga faktorë të tjerë që mund të tentojnë të cenojnë sistemin e mbarëvajtjes të sistemeve kompjuterike. Në shtetin e Shqipërisë sulmet kibernetike janë cenuar nga shteti i Iranit, nga një grup i caktuar për arsye politike. Në aspektin ligjor teknik dhe atë infrastrukturorë, ne kemi një sistem të mbrotjes së sigurtë”, përfundoi Abazi.

Kujtojmë se, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci në hapjen e Qendrës Shtetërore trajnuese për Siguri Kibernetike, theksoi se sulmet kibernetike janë çdo herë më të shpeshta dhe synimi është që përmes kësaj Qendre të trajnohen institucionet e sigurisë që t’i bëjnë ballë çdo sulmi të natyrës kibernetike.

“Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike do të ofrojë trajnime me qëllim të ngritjes së ndërgjegjësimit për rreziqet në fushën e sigurisë kibernetike, të përmirësojë aftësitë profesionale dhe të ndihmojë në ngritjen e niveleve të sigurisë kibernetike të institucioneve qeveritare, operatorëve të shërbimeve esenciale dhe ofruesve të shërbimeve digjitale për të arritur kapacitetet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike në vend”, theksoi Maqedonci.

/GazetaBlic/