Lajme

Analistët komentojnë takimin e sotëm për dinarin: “Serbia ka hatërmbetje me Brukselin”

04/04/2024 18:35
nga:G C

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku thotë se Serbia refuzoi propozimin e Lajçakut për dinarin dhe kjo sipas tij, ndodhi për një arsye.

Sadiku në një prononcim për GazetaBlic thekson se një gjë e tillë ndodhi për shkak se, Serbia donte të tregonte që ka hatërmbetje për mundësinë e Kosovës dhënë nga Europa, për anëtarësim në KiE.

“Pala serbe refuzoi sepse e bëri për të treguar që ka hatërmbetje të Serbisë në raport me Brukselin, pasi Europa në Paris i dha mundësinë Kosovës për anëtarësim në KiE”, tha Sadiku.

Sipas Sadikut, lajm i mirë nga ky takim është se Kosova ka pranuar marrëveshjen, Serbia jo.

Ndërsa, analisti tjetër, Fidan Ukaj thotë se çështja e dinarit po përdoret nga Serbia për t’iu ikur përgjegjësive nga procesi i dialogut me Kosovën.

Ukaj në një prononcim për GazetaBlic thekson se, ajo çka është e rëndësishmë ka të bëjë me mos-cenimin e rregullores së BQK-së.

“Në fakt, Serbia po e përdor çështjen e dinarit që t’iu ikë përgjegjësive të saj nga procesi i dialogut, por Serbia ishte ajo që këtë proces e zhvendosi në Bruksel duke e dramtizuar deri në KS të OKB-së”, tha Ukaj.

“Megjithatë, nga ajo që dëgjuam, palët janë përafruar. Po ashtu, pala kosovare në parim është dakorduar me propozimin evropian. Mendoj se në takimin e radhës, njejtë do të bëjë edhe Serbia”.

“E rëndësishme është që të kemi zgjidhje, pa u cenuar rregullorja e BQK-së”, tha Ukaj për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë më 1 shkurt, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, konfirmuan kryenegociatorët e të dy vende, të cilët e akuzuan njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje. Por, Bashkimi Evropian tha se ka pasur përafrim të qëndrimeve sa i përket dinarit.

“Fatkeqësisht edhe sot kemi pasur dallime të mëdha”, tha kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për gazetarë pas takimit me homologun e vet serb Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak.

“Derisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si serbët e Kosovës mund ta marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokat i Postanska banka (Kursimorës së Postës serbe) dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të licencohet ajo”, tha Bislimi.

Ndërkohë, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Prishtina nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për një marrëveshje dhe se pritet edhe një takim lidhur me këtë temë.

Deklarohen nga opozita- Takimet në Bruksel për ‘dinarin’ po mbahen më shumë për konsum të brendshëm politik!