Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur të pajtohen për çështjen e dinarit serb, i cili u ndalua në Kosovë, as pas takimit të tretë radhazi të enjten në Bruksel, konfirmuan kryenegociatorët e të dy vende, të cilët e akuzuan njëri-tjetrin për mungesë vullneti për të gjetur një zgjidhje.
“Fatkeqësisht edhe sot kemi pasur dallime të mëdha”, tha kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, duke folur për gazetarë pas takimit me homologun e vetë serb Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, raporton Radio Evropa e Lirë.
“Derisa pala kosovare ka diskutuar për opsionet se si serbët e Kosovës mund ta marrin mbështetjen financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokat i Poshtanska banka (Kursimorës së Postës serbe) dhe gjithë kohën ka diskutuar se si të licencohet ajo”, tha Bislimi.
Ai e akuzoi palën serbe se “nuk ishte e shqetësuar për qytetarët”, dhe se shqetësimi i saj kryesor ishte si ta licencojnë autoritetet kosovare bankën e Serbisë në Kosovë, “Kursimora e Postës”.
“Për herë të tretë sot e bëmë të qartë se ne nuk jemi anëtarë të Bankës Qendrore dhe nuk mund të marrim vendime… e bëmë të qartë po ashtu se diçka që nuk është e ligjshme në Kosovë, nuk mund të jetë pjesë e zgjidhjes”, tha Bislimi.
Petkoviq dhe Bislimi theksuan se do të ketë një takim të ri të katërt për këtë çështje pas rreth dy javëve.
Bislimi tha gjithashtu se pala serbe nuk e pranoi një propozim të “konsoliduar” të Lajçakut, për të cilin “ne besojmë se është konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje, e cila më së shumti i shkon për shtati qytetarëve dhe e respekton rregulloren e Bankës Qendrore”.
“Duhet të takohemi pas dy javëve, atyre iu bë e qartë se ky do të jetë takimi i fundit, prandaj ata duhet të reflektojnë ose do të fajësohen zyrtarisht për bllokimin e zgjidhjes”, tha Bislimi.