Lajme

Zëdhënësi i forcave izraelite zotohet për hetimin e vrasjes së punonjësve humanitarë në Gazë

04/02/2024 14:12
nga:Sh R

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Daniel Hagari iu ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe shteteve të shtatë punonjësve të organizatës humanitare “World Central Kitchen” (“Kuzhina Qendrore Botërore”) të cilët u vranë në Gaza.

Hagari u zotua për hetimin e incidentit ku punonjësit e WCK humbën jetën.

“Mbrëmë, një incident ndodhi në Gaza që rezultoi me vdekjen tragjike të punonjësve të World Central Kitchen (WCK), teksa përmbushnin misionin jetik për të sjellë ushqim për njerëzit në nevojë. Si një ushtri profesioniste e përkushtuar ndaj së drejtës ndërkombëtare, ne jemi të përkushtuar të shqyrtojmë operacionet tona në mënyrë të plotë dhe transparente. Sapo fola me themeluesin e WCK, kryekuzhinierin José Andrés dhe shpreha ngushëllimet më të thella të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) për familjet dhe gjithë familjen e organizatës World Central Kitchen”.

“ Ne gjithashtu shprehim dhimbjen e sinqertë për shtetet tona aleate që kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë kaq shumë për të ndihmuar ata në nevojë. Ne e kemi shqyrtuar incidentin në nivelin më të lartë për të kuptuar rrethanat se çfarë ka ndodhur dhe si ka ndodhur. Ne do të hapim një hetim për të shqyrtuar më tej këtë ngjarje të rëndë. Kjo do të na ndihmojë të zvogëlojmë rrezikun që një ngjarje e tillë të përsëritet. Incidenti do të hetohet përmes mekanizmit të gjetjes dhe vlerësimit të fakteve, një organ ekspert i pavarur dhe profesional. Gjatë muajve të fundit, IDF ka punuar ngushtë me Kuzhinën Qendrore Botërore për t’i ndihmuar ata në përmbushjen e misionit të tyre fisnik për të ndihmuar në sjelljen e ushqimit dhe ndihmave humanitare banorët e Gazës. Kuzhina Qendrore Botërore erdhi gjithashtu për të ndihmuar izraelitët pas masakrës së 7 tetorit. Ata ishin një nga OJQ-të e para këtu. Puna e Kuzhinës Qendrore Botërore është jetike. Punonjësit e WCK janë linjat e para të njerëzimit. Ne do të punojmë deri në zbardhjen e këtij incidenti dhe gjetjet tona do t’i ndajmë në mënyrë transparente”, ka shkruar Hagari në videon e postuar në platformën “X”.