Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa thotë se VV’ja nuk është zëdhënëse e partive opozitare.
Beqa në një prononcim për GazetaBlic thekson se, Qeveria Kurti është duke e dëmtuar vendin dhe sipas tij, zgjedhjet janë e vetmja rrugë që të shpëtohet Kosova.
“VV’ja nuk është zëdhënëse e partive opozitare. Ne e kemi dhënë qëndrimin tonë, pra duhet të shkojmë në zgjedhje sa më shpejtë sepse kjo Qeveri është duke e dëmtuar vendin, si në raport të brendshëm, ashtu edhe në atë të jashtëm”, tha Beqa.
“Qeveria Kurti s’ka bërë asgjë, edhe raportet që kanë qenë të ndërtuara me ndërkombëtarët i kanë lënduar. Kemi probleme me ekonominë, inflacionin, sigurinë dhe nuk kemi ndonjë zhvillim as të jashtëm dhe as të brendshëm”, shton ai.
Beqa shprehet optimist rreth zgjedhjeve, ku thotë se PDK-ja do të del e para.
“Si Parti Demokratike, jemi të përgatitur si kurrë më parë dhe jam shumë optimist që do të dalim të parët edhe në zgjedhjet qendrore, qytetarët nuk mund të mashtrohen më nga VV’ja”, tha Beqa për GazetaBlic.
Kujtojmë se shumë shpesh nga partia në pushtet kanë deklaruar se partitë opozitare po bëjnë gara për vendin e dytë.