Sporti

Bernardo Silva pas barazimit me Arsenalin: “Nuk jemi më favorit për titull”

03/31/2024 20:38
nga:Lorik J

Bernardo Silva ka analizuar barazimin e Manchester Cityt ndaj Arsenalit, në Etihad, në xhiron e 30-të të Premier League.

Citizens janë të tretët, me 64 pikë, një më pak se Arsenali dhe dy krahasuar me Liverpoolin tashmë lider.

“Nuk jemi më favoritë për titull. Duhet të jemi realistë. Shumëçka mund të ndodhte ende. Nëntë ndeshje kanë mbetur. Por nuk varet nga ne. Ne varemi nga Liverpooli dhe Arsenali, nuk do të luajmë më kundër tyre. Ne kemi nevojë që ata të humbin pikë dhe ne duhet të bëjmë punën tonë dhe të fitojmë ndeshjet që kemi”, tha fillimisht ai për Sky Sports.

“Ishte e vështirë, sepse luajtëm kundër një ekipi shumë të organizuar, shumë konkurrues dhe me ritëm të lartë. Për të qenë i sinqertë, mendoj se fitorja mund të kishte ardhur në çdo mënyrë. Mendoj se filluam më mirë, por edhe gjatë lojës ata ishin shumë të mirë. Ne kishim më shumë kontroll, më shumë posedim të topit, por ata ishin gjithmonë të rrezikshëm në kundërsulme. Ishte e vështirë të luash kundër Arsenalit”, shtoi ai.

/GazetaBlic Sport