Profesori i marrdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, në një intervistë për dokumentarin “Expose” ka deklaruar se nga qeveria Kurti është pritur më shumë.
Hoti tha se fatkeqësisht nuk është parë ndonjë progres as në fushën e integrimeve evropiane dhe as në fusha të tjera në përgjithësi të politikës së jashtme.
“Po mendoj që gjithmonë ka hapësirë për t’u bërë më tepër ndërkohë që në rastin e Kosovës normalisht që situata është shumë më e komplikuar dhe pak varet nga ajo se kush vie në pushtet. Ndoshta nga qeverisja e zotit Kurti është pritur shumë më tepër për faktin se para ardhjes në pushtet ka patur trumbetime të mëdha që ardhja e tyre në pushtet praktikisht do të shënojë sukses të cilin Kosova nuk e ka parë deri më atëherë”
Ai tha se periudha e fundit shënon periudhën më të zbehtë nëpër të cilën ka kalu vendi në politikën e jashtme
“Ndërkohë që fatkeqësisht më duhet të konstatoj faktin se nuk kemi parë ndonjë progres të caktuar as në fushën e integrimeve evropiane dhe as në fusha të tjera në përgjithësi të politikës së jashtme. Parimisht nëse flasim për stadet ose për periudhat nëpër të cilat ka kaluar politika e jashtme e Kosovës mendoj se periudha e fundit shënon periudhën më të zbehtë nëpër të cilën ka kalu vendi në politikën e jashtme dhe kjo për shumë arsye. E para për faktin se në këtë periudhë nuk kemi marrë absolutisht asnjë njohje, nuk kemi patur asnjë anëtarësim në asnjë organizatë ndërkombëtare. Mbi këtë bazë mendoj se nuk mund të flasim për sukses në politikën e jashtme dhe se përpjekjet për të përvetësu eventualisht ndonjë proces ose ndonjë fenomen mendoj se nuk janë korrekte sepse proceset në politikën e jashtme janë shumë të ngadalta dhe shumica prej tyre kanë fillu në faza të mëhershme, dhe efektet e tyre eventualisht mund të shihen sot sikurndër që proceset që eventualisht mund të nisin sot, ndoshta efektet e tyre do të shihen në të ardhmen. Me fjalë të tjera mendoj që është bërë shumë pak për mos thënë fare në fushën e politikës së jashtme në Kosovë” tha Hoti për Expose raporton Gazeta Blic.