Lajme

Hashani: Zyra Kombëtare e Auditorit i ka dorëzuar 65 raste në Prokurori për tenderë një burimor

03/29/2024 22:02
nga:Sh R

Në emisionin EURO N’7 me Menduh Abazi është diskutuar fenomeni i tenderëve një burimor, që gjatë mandatit tre vjeçar të qeverisë aktuale janë hiç me pak se 781 tender me vlerë 245 milion euro.

Profesori universitar Medain Hashani duke analizuar këtë fenomen të qeverisë aktuale ka thënë se edhe pse në të kaluarën ka pasur tenderë një burimor, nuk kanë qenë fenomen e përditshmëri siç janë bërë gjatë qeverisjes Kurti.

Kjo qeveri sipas tij që prej fillimit të mandatit të saj ka hyrë me pretendime të qarta për të pasur së më shumë tender një burimor sepse për më shumë se një vit ka bllokuar bordin e OSHP-së, të njohur si gjykata e tenderëve.

“Gjykata e Tenderëve apo OSHP-ja ka qenë e bllokuar për më shumë se një vit, dhe bizneset as nuk mundur të ankohen kur ju është bërë e padrejtë, kur nuk është lejuar konkurueshmëria e barabartë. Pra që prej fillimit kjo qeveri ka hyrë me pretendime që të ketë sa më shumë tendera një burimor”, ka thënë Hashani.

Ky fenomen i tenderëve një burimor sipas tij ka vërejtur edhe Zyra Kombëtare e Auditimit e cila pasi ka audituar shpenzimet e qeverisë të vitit të kaluar ka bërë mbi 60 kallëzime penale pikërisht për procedurat e ndjekura nga institucionet vendore për tender një burimor.

“Zyra Kombëtare e Auditimit në bazë të auditimit të performancës që ka bërë në shumë dikastere të qeverisë dhe ndërmarrje publike ka iniciuar në prokurorin speciale 65 kallëzime penale, për kontrata një burimore të cilat duhet me u hetu nga ana e prokurorisë. Normalisht që prokurorisë i duhet kohë derisa t’i shqyrtoj dhe të ngrisë aktakuza për personat përgjegjës mbi bazën e asaj që u ka ofruar Zyra Kombëtare e Auditorit e që janë mjaftë relevante dhe të besueshme. Kjo zyrë është është institucioni më kredibil në vend dhe që po bënë një punë të jashtëzakonshme”, ka shtuar profesor Hashani.

Në bazë të të dhënave që janë mbledhur deri më tash prej datës 22 mars kur ka nisur mandatin kryeministri Kurti e deri me 31 dhjetor 2023 janë plot 245 milion euro të kontraktuara me tender një burimor, duke shtuar kësaj edhe 10 milion euro të tenderit sekret për rezerva shtetërore që në tërësi bëjnë 255 milion euro. /T7