Lajme

Deda: Për anëtarësim në Këshill të Evropës mund të kërkohet formimi i Asociacionit – s’e shoh Kurtin duke e themeluar

03/29/2024 22:03
nga:G B

Analisti Ilir Deda ka komentuar edhe letrën e zotimit të krerëve të shtetit për themelimin e Asociacionit dhe zotimin për mos sulme ndaj gjyqësorit, teksa përgëzon opozitën për mbrojtjen e Kushtetutës së vendit.

“Po shyqyr që u zotuan në letrën e Dora Bakojanit se nuk do ta sulmojnë më sistemin gjyqësor e Gjykatën Kushtetuese veç tash duhet ta matin këtë, pasi u zotuan krerët shtetërorë se s’do të ketë sulme ndaj gjyqësorit, që do të respektohen ligjet dhe Pako e Ahtisarit, të shohim tash e tutje, nuk e di çka do të sulmohet tash. Pushtetet në Kosovë janë të ndara dhe opozitën duhet përgëzuar që e ka mbrojtur Kushtetutën e Kosovës duke i dërguar ligjet diskutabile që dolën jokushtetuese, në Gjykatën Kushtetuese”, thotë ai në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin.

Ai shton se Vettingu ka mundur të bëhet edhe me Kushtetutë të Kosovës.

“Reforma në Kosovë, edhe Vettingu mund të bëhet në kuadër të Kushtetutës që e kemi sot. Unë nuk e di pse është dashur të shkohet me projekte që janë kundër Kushtetutës”.

Ish deputeti i VV-së shprehet i çuditur me qeverinë pse është aq e mbyllur, duke mos marrë pjesë në debate.

“Rendi është të pyeten ata nëse lejohet prej tyre, mua më ka çuditur qeveria është shumë e mbyllur, nuk marrin pjesë në debate si përpara, ministrat nuk shkojnë në debate për fusha të caktuara si përpara, është një mbyllje shumë e madhe”, thekson ai.

Sipas tij, deklarimi i vetëm një numri të vogël të deputetëve të mazhorancës tregon dobësi, duke shtuar se kur të vijnë zgjedhje s’do të mund të ikin nga debatet.

“Kjo tregon dobësi, nuk është forcë qeverisëse sepse nëse ti me 51 për qind ikë prej opinionit publik por vjen koha sepse në zgjedhje ata s’kanë çare pa dalë në emisione televizive e duhet aty të pyetën pse s’kanë dalë në media, të gjitha pyetjet që s’kanë arritur t’iu bëhen deri sot”, potencon Deda.

Sa i përket Asociacionit, analisti thotë se nuk e sheh Kurtin duke e formuar atë, teksa shton se qeveria s’mund ta bëjë atë dhe nëse tani nisin procedurat për themelim të tij, s’mund të formohet deri në fund të vitit 2025.

“Jo, nuk e shoh që është duke e bërë Asociacionin. Faktikisht qeveria s’mund ta bëjë Asociacionin, qeveria duhet të dakordohet për statut dhe atë statut në formë të dekretit ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dhe s’ka më rol, edhe nëse flasim tash edhe me kalendar kur mund të bëhet Asociacioni që sot me fillu procedurën, ai nuk përfundon deri në dimrin e vitit 2025, sepse lidhet me kuvendet komunale të komunave, ato kanë rol e duke e marrë parasysh kompozicionin e kuvendeve komunale në veri, nuk e shoh që mund të ecet përpara para zgjedhjeve komplet të reja në nivel komunal e ato dihet që janë në vjeshtën e vitit 2025 dhe atëherë mund të themelohet Asociacioni”, vlerëson ai.

Duke folur për deklaratat e Kurtit lidhur me formimin e Asociacionit, ish deputeti potencon se qeveria s’ka ditur të gjendet në raport me ndërkombëtarët lidhur me këtë çështje, andaj dhe ka pasur hidhërim nga ata dhe po ashtu masa.

“Ka qenë një kohë vitin e kaluar kur disa deklarata të Albinit e kanë dhënë njëfarë logjike në atë, para se të shkonte në Paris, ku thoshte a duhet të dihet a është Asociacioni në Kosovë apo Serbi, që do të thotë që supermacioni juridik i Kosovës duhet të njihet nga Serbia e mandej filloi një ndryshim në deklarata herë e pranoj, herë nuk e bëj. Po më duket nuk kanë ditur të gjinden në këtë situatë dhe nuk e di sa kanë ditur Qeveria e Kosovës t’ia sqarojnë partnerëve ndërkombëtarë cilat janë brengat e Kosovës nëse ecet në këtë mënyrë tash me themelim të Asociacionit, se po të kishin ditur ta sqaronin këtë, nuk do të kishin hidhërim me faktorin ndërkombëtar e as nuk do të kishin masa ndëshkuese nga BE”, deklaron Ilir Deda.

Por, a është aq i madh hidhërimi ndërkombëtar me qeverinë?

Ai shprehet se të gjitha veprimet për këtë lidhen me veriun dhe se Kosova është bërë problem për sigurinë në Ballkan në kohën e luftës në Ukrainë, kur SHBA ka kërkuar të mos ketë probleme.

“Unë mendoj që ju e dini më mirë sa është i madh hidhërimi, sesa unë, me qeverinë e Kosovës. Mendoj më shumë se është një sërë veprimesh në një periudhë kohore të cilat kanë të bëjnë të gjitha me veriun dhe me një lloj jo konstruktiviteti të Kosovës në situatën kur është lufta në Ukrainë. Të gjithë e dimë se për SHBA kushti kyç kur ka filluar invazioni në Ukrainë është se askush në Ballkan nuk bën probleme të sigurisë, askush dhe këtë e kanë kërkuar dhe mandej është interpretuar që qeveria jonë po shkakton probleme, deri në atë masë, Kosova është i vetmi vend në Ballkan që ndëshkohet prej perëndimit e ne varemi prej tyre. Shumë është situatë e vështirë, e tash me dashtë me qenë mirëdashës me qeverinë mund të thuash vetëm se nuk e ka njohur kontekstin se si funksionon vota edhe që janë pre e një lloj naiviteti të tyre sepse s’do të doja të mendoja në aspekt të keq për ta”, shton ai.

Sipas ish deputetit, pozitive është ndihma për anëtarësim në Këshill të Evropës, për çka thotë se mund të kërkohet formimi i Asociacionit.

“Kanë menduar që mund ta ndryshojnë mendimin perëndimor në kontekst të sigurisë, nuk kanë arritur, por mendoj që krahas kësaj çka është pozitive është ndihma për anëtarësim në Këshill të Evropës. Kjo është një e arritur e madhe e tash nuk e di a është kjo njëlloj ndihme ndaj Kosovës që ta realizojë Asociacionin, mund të jetë dhe në rregull është, askush nuk humb. Por nuk di më shumë se kaq”, thotë ai.

Deda është i mendimit se po të kishte Kosova një lloj finese me perëndimin sa i përket luftës në Ukrainë, do t’i kapërcente dy hapa për anëtarësimet, teksa ai shton se është vështirë të dihet se ku mund të ketë sukses derisa Kosova po e saboton veten në përparim në rrugën e anëtarësimit.

“Kur ka aplikuar për kandidaturë Kosova në BE kam qenë ithtar i atij hapi edhe më herët, sepse e vendos BE-në në qartësi a e pranon Kosovën në të drejtën e integrimit apo jo. E në kontekst të luftës në Ukrainë mendoj që Kosova të kishte pasur një lloj finese me perëndimin, do të kishte mundësi t’i kapërcente dy hapa, edhe të fitonte kandidaturën, edhe t’i jepej data për hapjen e negociatave. Këto politikat afatshkurtra të brendshme fundin e të cilave nuk e dimë dhe rezultatin e të cilave nuk e dimë por të cilat mund të kenë një efekt momental populist, nuk janë të suksesshme. Në kohën kur perëndimi me Rusinë janë buzë një konflikti, me kë do të jesh ti si Kosovë, një vend i vogël, shtet i papërfunduar, perëndimi ta garanton sigurinë, nuk ia garanton ti vetes, e këtu nuk e di ku ia kanë qitë hesapin qeveria jonë edhe udhëheqësia e Kosovës, e kam të paqartë sepse nuk më duket që është shumë racionale. Nëse ti ke nevojë për perëndimin, edhe ai prej teje siguri në rajon, nëse e ke një lloj rruge të shtruar të përbashkët, edhe kandidatura në BE, edhe partneriteti për paqe në NATO, e ti tash po e saboton veten në përparim se di ku është suksesi në këtë, unë nuk shoh”, deklaron analisti Ilir Deda./Gazeta Blic/