Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha ka thënë se situata në veri të vendit vazhdon të mbetet e brishtë, me mundësi tensionimi.
Ai tha se kjo po ndodh për shkak të grupeve kriminale të cilat veprojnë në veri të vendit.
“Situata e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe me gjerë vlerësohet të jetë e qetë. Në pjesën veriore të Kosovës edhe më tutje situata e sigurisë mbetet e brishtë. Me mundësi të tensionimit si rezultat i aktiviteteve, strukturave ilegale dhe grupeve kriminale dhe terroriste. Policia e Kosovës gjatë vitit 2023 është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë marrë për bazë dinamikën e kërcënimet e sigurisë siç janë: incidentet kriminale, sulmet terroriste, protestat e dhunshme dhe kërcënimet hibride. Vlen të theksohen disa prej rasteve dhe incidenteve më të rënda gjatë vitit 2023 ”, ka deklaruar Hoxha gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes raporton ‘Gazeta Blic’.
Në lidhje me këtë deklaratë të Hoxhës ka folur për “Gazeta Blic”, eksperti i sigurisë, Hajrullah Tërnava.
Ai tha se i njëjti mund të ketë informata por se pas Banjskës vështirë se Serbia mund të sulmojë Kosovën.
“Rrethanat në të cilat po jetojmë kur është fjala për vendin tonë Kosovën dhe kur dihet një shtet si Serbia që është permanent shtet armiqësor i joni e që është kjo situatë e njohur në shekuj dhe jo vetëm këto vitet e fundit, gjithçka është e mundur dhe e pritshme. Drejtori i Policisë është në rrjedha, ka informata të ndryshme por diçka tjetër duhet të kemi parasysh, politikat serbe janë të tilla që zhvilliohen në mënya speciale për arritjen e qëllimeve të tyre.Një sulm të tanishëm vështirë që do ta bëjë Serbia sepse me sulmin e 24 shtatorit, Banjska, është dëshmu një agresion në sovranitetin e Kosovës dhe bota demokratike është radhit kundër tyre. Ne jemi shtet demokratik dhe nuk kemi dhënë shkas me na provoku prandaj Serbia e ka të qartë situatën e 99-ës” tha Tërnava.
Tërnava tha se një sulm i Serbisë ndaj Kosovës do të thotë luftë kundrejt NATO-s.
“Në këtë momente shtetin tonë dhe sovranitetin e saj e garanton NATO prandaj një sulm i Serbisë ndaj Kosovës do të thotë luftë kundrejt NATO-s.Nuk llogari Vuçiqi me sulmi Kosovën sepse NATO-ja do t’i përgjigjet asaj. Duhet t’a kemi situatën e përgjithshme të qartë se ata megjithatë kanë me përdor forma të ndryshme por në fund do të pajtohen me realitetin që e imponon bota demokratike” deklaroi Tërnava në përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic”.

Hajrullah Tërnava, Ekspert i Sigurisë!
/Gazeta Blic/
Drejtori i policisë paralajmëron: Situata e sigurisë në veri e brishtë, me mundësi tensionimi


