Drejtori i policisë, Gazmend Hoxha ka thënë se situata në veri të vendit vazhdon të mbetet e brishtë, me mundësi tensionimi.
Ai tha se kjo po ndodh për shkak të grupeve kriminale të cilat veprojnë në veri të vendit.
“Situata e përgjithshme e sigurisë në Republikën e Kosovës bazuar në zhvillimet aktuale në vend, rajon dhe me gjerë vlerësohet të jetë e qetë. Në pjesën veriore të Kosovës edhe më tutje situata e sigurisë mbetet e brishtë. Me mundësi të tensionimit si rezultat i aktiviteteve, strukturave ilegale dhe grupeve kriminale dhe terroriste. Policia e Kosovës gjatë vitit 2023 është ballafaquar me një ambient kompleks të sigurisë marrë për bazë dinamikën e kërcënimet e sigurisë siç janë: incidentet kriminale, sulmet terroriste, protestat e dhunshme dhe kërcënimet hibride. Vlen të theksohen disa prej rasteve dhe incidenteve më të rënda gjatë vitit 2023 ”, ka deklaruar Hoxha gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes raporton ‘Gazeta Blic’.
Në lidhje me deklaratën e Hoxhës dhe si është gjendja aktualisht në veri ka folur për “Gazeta Blic” gazetari serb që jeton në Mitrovicën e Veriut, Branislav Krstic.
Krstic tha se njoftime të tilla janë pjesë e planit politik sipas të cilit duhet të justifikohet shteti policor dhe prania e gjerë në veri të vendit.
“Policia e Kosovës në veri në gjashtë muajt e fundit nuk ka arrestuar asnjë aktor nga tragjedia e Banjskës. Njoftime të tilla janë pjesë e planit politik sipas të cilit duhet të justifikohet shteti policor dhe prania e gjerë në veri të vendit. Incidentet sporadike në të cilat herë pas here shënjestrohen pronat e serbëve të integruar në institucionet e Kosovës janë një nga sfidat e policisë. Nuk duhet përjashtuar mundësia që pas djegies së pronave në veri të vendit të qëndrojnë grupe të tjera të interesit në kuadër të fushatës së përgjithshme kundër Listës Serbe” tha Krstic për “Gazeta Blic”.
Krstic tha se “besimi i përgjithshëm i qytetarëve në veri të Kosovës është se pushteti në Prishtinë dëshiron të provokojë incidente”
“Besimi i përgjithshëm i qytetarëve në veri të Kosovës është se pushteti në Prishtinë dëshiron të provokojë incidente, me veprimet apo mosveprimet e saj” deklaroi Krstic në përgjigjen e tij dhënë për “Gazeta Blic”.
Me 24 shtator të vitit 2023 një grup i armatosur serbësh vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në Banjskë të komunës së Zveçanit
/Gazeta Blic/
Drejtori i policisë paralajmëron: Situata e sigurisë në veri e brishtë, me mundësi tensionimi