Lajme

“Për 3 muaj u shuan 400 biznese” – Deputeti i VV’së: Lajm i keq për vendin

03/27/2024 12:43
nga:G C

Deputeti i VV’së, Gramos Agusholli thotë se Kosova ka shënuar rritje të madhe ekonomike në këto vitet e fundit.

Agusholli i është përgjigjur deklaratës së kryetarit të AKB-së, Agim Shahinit i cili tha se: “Për 3 muaj u shuan 400 biznese në Kosovë”.

“Në vitet e fundit, Kosova ka shënuar një rritje në sektorin ekonomik, megjithatë GDP-ja për banorë vazhdon të jetë relativisht e ulët. Dhe duke marrë parasyshë GDP-në më të ulët ne ballkan…”, tha Agusholli.

Ai shton se shuarja e 400 bizneseve paraqet një lajm të keq për vendin.

“Është e rëndësishme që institucionet përgjegjëse të angazhohen për të mbajtur një klimë të favorshme për bizneset në Kosovë”, tha Agusholli.

Sipas Agushollit, që të adresohet kjo sfidë duhet të merren parasysh shumë faktorë.

“Në përpjekje për të adresuar këtë sfidë, duhet të merren parasysh shumë faktorë, përfshirë ikjen e punëtorëve, konkurrencën jo të drejtë dhe hapjen e bizneseve nga kompanitë e mëdha edhe në tregjet evropiane”, tha Agusholli.

Sipas Agushollit, ajo çka ndihmon në ruajtjen e stabilitetit ekonomik është mbështetja financiare për bizneset vendase.

“Megjithatë, unë konsideroj është shumë më e rëndësishme sigurimi e një mbeshtetjeje financiare të qëndrueshme për bizneset vendase. Kjo do të ndihmonte në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe të rritjes së qëndrueshme në Kosovë”, tha Agusholli për GazetaBlic.

Kujtojmë se, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, tha se për tre muaj në Kosovë janë shuar 400 biznese,

“Brenda 3 muajve janë mbyllur rreth 400 biznese dhe kjo është një lajm i keq për neve dhe tërë Kosovën sepse pavarësisht që janë hapur brenda këtij viti rreth 2800 biznese prapë janë më pak rreth 300 biznese në krahasim me vitin e kaluar që janë hapë. Bizneset realisht ato çka vet deklarojnë janë biznese të cilat supozohet që kanë pasur nga 1 deri 3 të punësuar dhe arsyet pse janë të mbyllura i japin disa siç është humbja e fuqisë në tregun konkurrues, e cila është mjaft e rëndësishme, konkurrenca jo e drejtë, mungesa e mbështetjes financiare me kushte të volitshme dhe këtu flitet për interesin bankar i cili është më i larti në Evropë, kjo e bënë që Kosova të jetë një nga vendet që ka interesin bankar më të lartin në Evropë dhe na bënë jokonkurrent”, tha Shahini.