Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se Ferdonije Çerkezi, dhimbjen e ka bashkuar me pritjen, raporton GazetaBlic.
Osmani përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se, ajo nuk ka hequr dorë nga shpresa edhe pse pritja tash e 25 vjet e ka rënduar.
“Historia e Nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë, por edhe e përgjegjësisë që të mos reshtim në kërkesën për drejtësi dhe në mbrojtje të së vërtetës”, shkruan tutje Osmani.
Shkrimi i plotë:
Shtëpia e saj tashmë është muze. Pjatat në tavolinë janë bërë personifikim i pritjes për djemtë dhe bashkëshortin e Nënës Ferdonije Çerkezi, e cila prej 25 vjetësh, dhimbjen e ka bashkuar me pritjen.
Në ora 11:00, 25 vjet më parë ajo pati takimin e fundit me katër djemtë dhe bashkëshortin, të cilët forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë, i rrëmbyen dhunshëm. Eshtrat e dy djemve janë gjetur, teksa pritja për zbardhjen e fatit të 2 djemve dhe bashkëshortit, ende nuk ka marrë fund.
Nga atherë, pritja e ka rënduar, por Nëna stoike nuk ka hequr dorë nga shpresa.
Historia e Nënë Ferdonijes duhet të shërbejë si kujtesë e historisë sonë të trishtë, por edhe e përgjegjësisë që të mos reshtim në kërkesën për drejtësi dhe në mbrojtje të së vërtetës.


