Lajme

Musliu-Shoshi: Kosova meriton të jetë pjesë e Këshillit të Evropës – PDK ka merita të mëdha në këtë proces

03/26/2024 22:30
nga:G B

Komiteti për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës do të mblidhet nesër (e mërkurë), ku pritet të votohet raporti i Dora Bakojanis, raportuese për Kosovën në KiE.

Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi, është optimiste që raporti të marrë dritën e gjelbër për kalim për shqyrtim në Asamblenë Parlamentare.

Ajo, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Kosova që nga vitit 1999 në çdo hap të saj ka dëshmi se meriton të jetë pjesë e familjes së Këshillit të Evropës.

“Kosova si shtet demokratik, në çdo hap të saj, nga viti 1999 ka qenë dhe është e përkushtuar në rrugëtimin dhe integrimin euro-atlantik. Shpallja e pavarësisë, miratimi dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, ndërtimi institucional, respektimi i të drejtave të njeriut, sundimi i ligjit, të drejtat e minoriteteve, zhvillimi i demokracisë janë dëshmi që Kosova është meritore të jetë pjesë e familjes së Këshillit të Evropës”, vlerëson ajo.

Deputetja thekson se PDK ka merita të mëdha në këtë proces dhe i gëzohen anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

“Si PDK kemi merita të mëdha proces drejt integrimit në Këshill të Evropës dhe i gëzohemi anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë jashtëzakonisht të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë”, deklaron deputetja e PDK-së, Ariana Musliu Shoshi./Gazeta Blic/