Lajme

“Thirrje boshe”/ Agusholli: S’do të ketë nevojë për mocion, opozita do ta sillte në Kuvend prej kohësh po të ishte e gatshme

03/25/2024 22:41
nga:G B

Opozita prej kohësh kërkon zgjedhje të parakohshme. E, tani kryeministri Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për të shkuar në zgjedhje, nëse dëshiron opozita.

Mirëpo, partitë opozitare po kërkojnë dorëheqjen e Kurtit, pasi po thonë se ai është dorëzuar.

Por, ky i fundit ka thënë se nuk do të japë dorëheqje.

E, për gatishmërinë e kryeministrit për zgjedhje dhe deklaratat e opozitës, për Gazeta Blic ka folur deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gramos Agusholli.

Ai thotë se kryeministri ka qenë gjithnjë i gatshëm për zgjedhje dhe tani po deklarohet pasi është vit zgjedhor.

“Me sa di unë, kryeministri Kurti, gjithnjë ka qenë i gatshëm për zgjedhje. Pse tash? Sepse potencialisht është vit zgjedhor”, shprehet ai.

Deputeti i mazhorancës i sheh si thirrje boshe deklaratat e opozitës, derisa thekson se po të ishin të gatshëm për zgjedhje, do ta kishin sjellë mocionin prej kohësh në Kuvend.

“Sa për kërkesat e partive opozitare, mua më duken si një thirrje boshe pa zë, vetëm me mimikë. Po të ishin të gatshëm, mocionin e mosbesimit do e sillnin qysh moti”, vlerëson Agusholli për Gazeta Blic.

Ai vlerëson se qeveria do ta përfundojë mandatin dhe s’do të ketë nevojë për mocion.

“Personalisht, besoj se kjo qeveri do të arrijë të mbarojë mandatin e saj, duke konsideruar kontekstin aktual politik dhe popullor, dhe nuk besoj që do të jetë nevoja të votojë për ndonjë mocion”, deklaron deputeti i VV-së, Gramos Agusholli./Gazeta Blic/

Tahiri: AAK e bën mocionin, Kurti veç le të thotë që e votojnë – po viktimizohet

Konjufca: Unë moti jam për zgjedhje, duhet të ulemi me partitë dhe ta specifikojmë kohën e përshtatshme