Lajme

Kadrijaj: Qeveria Kurti fajtore për mos respektim të agjendës legjislative

03/25/2024 21:00
nga:G B

Kuvendi i Kosovës, sipas KDI-së, ka realizuar vetëm 25 për qind të agjendës legjislative.

Deputetja e zëshme opozitare, Time Kadrijaj, nga AAK, po e fajëson qeverinë Kurti që nuk e ka respektuar agjendën legjislative.

Ajo po e fajëson edhe shumicën parlamentare që po dështojnë qoftë në votimin e shumë vendimeve në Kuvend, qoftë për shkak të dështimit të seancave për shkak të kuorumit.

“Vërtetë nuk ka qenë e mirë, agjenda legjislative nuk është respektu prej Qeverisë, projektligjet nuk kanë ardhur në afatin që janë parapa, edhe kur janë ardhur ka pas zvarritje. Edhe nëse për votimet e thjeshta ose për projektligjet e thjeshta duhet edhe Qeveria me i pas numrat në mënyrë që me një shumicë të thjeshtë me 61 vota ti kalojë, plot projektligje që të vazhdohet më tutje, por shohim se nuk i respektojnë këto dhe nuk gjenden nëpër seanca dhe po grumbullohen, por e kemi një numër të madh të projektligjeve. Mbledhjet e kryesisë po ashtu anëtarët që janë prej partive politike shpesh herë mungojnë dhe nuk munden me marrë vendime qoftë edhe për Komisionin Parlamentar, që duhet të udhëtojnë jashtë vendit sepse duhet ato të miratohen në mbledhje të kryesisë, shpesh herë seancat caktohen vetëm me vendim të kryetarit të Kuvendit pa mbledhje të kryesisë, sepse e ka atë të drejtë ligjore edhe në bazë të rregullores së Kuvendit”, thotë ajo.

Deputetja thekson se sikur vitin e njëjtë po vazhdon ritmi dhe këtë vit, me zvarritje të pakuptimtë.

“Por vërtetë edhe vitin e kaluar edhe këtë vit po vazhdojmë me ritmin e njëjtë, me grumbullim të pikave të rendit të ditës, mos përfundim, zvarritje e pakuptimtë e pyetjeve parlamentare, sepse ka pyetje që i kemi parashtruar që 4 muaj, dhe ministrat nuk kanë qenë në seancat parlamentare që ti përgjigjen pyetjeve parlamentare, për me marrë mendimin dhe qëndrimin por edhe me marrë përgjigjen për pyetjet për të cilat deputetët kanë qenë të interesuar dhe i kanë parashtruar”, vlerëson Kadrijaj për Expose.