Lajme

Batusha thotë se opozita i bllokoi marrëveshjet ndërkombëtare

03/25/2024 21:00
nga:G B

Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë politik në vend, e ka nisur këtë vit edhe më keq se që ishte vitin që lamë pas.

Deri më tani, për gati tre muaj Kuvendi i Kosovës e ka mbajtur vetëm një seancë ku është diskutuar për projektligje.

Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha po e akuzon opozitën që nuk i ka votuar marrëveshjet ndërkombëtare.

Ai për emisionin dokumentar “Expose” prodhim i Gazeta Blic ka theksuar se që të funksionoj si duhet Kuvendi, duhet një koordinim më i mirë brenda vetë grupit parlamentar të VV-së dhe pastaj një koordinim me grupet tjera parlamentare.

“Pikat është bërë zakon jo vetëm në këtë legjislaturë por edhe në legjislaturat paraprake që të barten. Dhe ka pas legjislatura e 6 faktikisht ku përafërsisht 90 ligje janë bartur herë pas here në seancat e Kuvendit. Por në këtë legjislaturë nuk kemi pas numër të madh të ligjeve që janë bart. Zakonisht numrin e madh po e bëjnë raportet edhe marrëveshjet ndërkombëtarë, ku kemi një opozitë që nuk dëshiron  ti votoj marrëveshjet ndërkombëtare. Dhe natyrisht që disa ligje edhe për arsye së mungesës së deputetëve, sepse një subjekt politik opozitar, nganjëherë i bashkëngjiten edhe të tjerët, nuk voton fare për projektligjet, pavarësisht që nuk kanë vërejtje për projektligjet por kanë qëndrim politik që të mos e votojnë asnjë projektligj”, shprehet ai.

Batusha thotë se edhe mazhoranca e ka përgjegjësinë e saj si shumicë.

“Andaj kjo nuk mendoj që i ndihmon demokracisë përderisa nuk kanë asnjë vërejtje për ligjin, dhe të gjitha procedurat në komisione dhe në grupe punuese kanë përfunduar edhe ata kanë kontribuar, por gjithsesi kjo është qëndrim politik i tyre, natyrisht që mazhoranca ka përgjegjësinë e vet si shumicë, por kur shumica është tek numrat 62-63 deputet, në momentin që dikush është i sëmurë ose ka në familje dikë të sëmurë ose  është jashtë shtetit në udhëtime zyrtare, automatikisht po rrezikohet edhe bartja e ligjeve për shkak se opozita nuk po voton”, vlerëson deputeti.

Sipas tij, duhet një koordinim më i mirë brenda grupeve parlamentare, që të shtyhen përpara ligjet.

“Unë mendoj që një koordinim më i mirë politik, edhe brenda grupeve parlamentare por edhe me grupet tjera parlamentare, do të ishte çelësi që do të mund t’i shtynte përpara këto ligje. Por kemi një qëndrim të opozitës që nuk voton asnjë ligj dhe ai është blloku i cili nuk mundet me u tejkalu në rast se ata nuk ndryshojnë qëndrime, sidomos për ato ligje të cilat nuk kanë vërejtje, sepse ato ligje nuk janë as për LVV as për Qeverinë, por bëhen për qytetarët e Republikës dhe shtetin në përgjithësi, dhe duhet ti qëndrojmë besnik betimit tonë si deputet se do t’i shërbejmë Republikës deri në fund”, thekson Batusha për Expose.