Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi është shprehur i gatshëm për të shkuar në zgjedhje, nëse dëshiron opozita.
Por, ai ka thënë se nuk jep dorëheqje, mirëpo ia bën numrat opozitës që ta rrëzon qeverinë.
I gatshëm për zgjedhje është shprehur edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Lidhur me atë se pse pikërisht tani Kurti po shprehet i gatshëm për zgjedhje, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se opozita u ka rënë në qafë duke kërkuar zgjedhje por që nuk janë seriozë.
Ai thotë se LDK menjëherë u deklarua se kërkon dorëheqje të Kurtit, por dorëheqje s’do të ketë pasi është votuar nga populli për mandat 4 vjeçar.
“Së pari, kryeministri ka treguar që nëse opozita është unike, edhe ne do ta ndihmojmë. Kështu që opozita, ju e patë deklaratën e LDK-së, ku dolën dhe deklaruan se duhet ta shkarkojë veten kryeministri Kurti. Andaj, vetëshkarkim nuk ka sepse populli na e ka dhënë votën për 4 vjet qeverisje. Por për shkak se na kanë hipë në qafë duke thënë çdo të shtune, çdo shtator, çdo tetor, çdo dhjetor, andaj dhe iu desh të deklarohet që nëse jeni të gatshëm, ejani. Për çdo ditë bëjnë zhurmë që duan të shkojnë në zgjedhje, ndërsa nëse i dëgjon deputetët e opozitës brenda Kuvendit të Kosovës, për besë i shihni duke u lutur duke thënë se shpresojnë që nuk shkojmë në zgjedhje sepse e dimë se çka ndodhë”, shprehet deputeti për Gazeta Blic.
Bajqinovci thekson se janë të parët në sondazhe por janë të gatshëm për zgjedhje në çdo kohë dhe e ndihmojnë opozitën me numra, nëse ajo është e gatshme.
“Ne përkundër luftës të pakompromis që e ka bërë opozita duke shpifur dhe duke bërë gjithçka, prapë në fund në sondazhin e fundit të UBO-s kemi dalë 48 për qind, pa mërgatën. Kurse ne jemi të gatshëm, në çdo formë, në çdo kohë të shkojmë në zgjedhje pa marrë parasysh. Edhe ashtu jemi në fund të mandatit, zgjedhjet e rregullta mbahen në fundvit, por nëse është e interesuar opozita që t’i ketë, edhe ashtu i ka rreth 50 deputetë, po ia bëjmë, por nuk është e interesuar sepse LDK doli dhe deklaroi se nuk e bëjnë kuorumin dhe nuk votojnë për rrëzimin e qeverisë por nëse vetëshkarkohet z.Kurti”, shton ai.
Deputeti i VV-së vlerëson se opozita po hyn në vitin e katërt me deklarata boshe.
“Opozita as sot s’ka gatishmëri. Kemi hyrë në vitin e katërt të qeverisjes dhe kemi vetëm deklarata boshe nga opozita”, potencon Bajqinovci për Gazeta Blic.
E, se a do ta votojnë mocionin e AAK-së për rrëzim të Qeverisë, ai thotë se do ta bëjnë vetëm nëse opozita është unike, ndërsa që AAK-në e cilëson si parti të parëndësishme dhe që s’ka mundësi vendimmarrje.
“AAK nuk është parti politike vendimmarrëse në Kuvend, është e parëndësishme totalisht në skenën politike. Nëse bëhet e gjithë opozita, ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë, përndryshe këto janë vetëm fjalë boshe, retorike të opozitës për vite të tëra”, deklaron deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci./Gazeta Blic/
Tahiri: AAK e bën mocionin, Kurti veç le të thotë që e votojnë – po viktimizohet