Geek

Pas padisë së rregullatorit amerikan Apple humb mbi 110 miliardë dollarë në vlerën e tregut

03/25/2024 09:59
nga:N K

Aksionet e kompanisë Apple ranë me 4.1$ në mbylljen e bursës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke humbur rreth 113 miliardë dollarë nga vlera e saj e tregut.

Sipas “Bloomberg”, kompania po përballet me probleme në të dy anët e Atlantikut, pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë ngriti një padi kundër saj të enjten për një monopol në tregun e smartfonëve, ndërkohë që kompania pritet të hetohet nga BE për shkelje të mundshme të Aktit për Tregjet Dixhitale (DMA).

Padia vjen pas vitesh pretendimesh nga kritikët se Apple po dëmton konkurrencën për shkak të kushteve kufizuese të dyqanit të saj të aplikacioneve, tarifave të larta dhe aksesit të kontrolluar në harduerin dhe softuerin e saj. “Apple po minon aplikacionet, produktet dhe shërbimet që përndryshe do t’i bënin përdoruesit më pak të varur nga iPhone-ët e tyre”,-tha në një deklaratë Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Sipas paditësit, Apple përdor monopolin e saj “për të nxjerrë më shumë para nga konsumatorët, zhvilluesit, krijuesit e përmbajtjes, artistët, botuesit, bizneset e vogla dhe shitësit me pakicë”. Ndërkaq, sipas një raporti nga Mark Gurman i Bloomberg, Apple ka nisur diskutimet me Google për të integruar aftësitë e Geminit në iPhone. Nëse kjo marrëveshje realizohet, iOS 18 mund të vije me veçori të Al të mbështetura nga Gemini. Gjithashtu, gjiganti teknologjik po zhvillon bisedime edhe me ChatGPT të OpenAl, për po të njëjtën arsye.

iOS 18 me Inteligjencë Artificiale mund të jetë përditësimi më i madh nga Apple. Gjatë vitit 2024 pritet që Apple të prezantojë linjën më të re të telefonave, iPhone 16, e cila thuhet të jetë e fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale (Al). Sipas Mark Gurman të rrjetit televiziv Bloomberg, ky përditësim i sistemit operativ mund të jetë më i madhi në historinë e gjigantit teknologjik.