Sporti

Nuk shënon qe një vit e gjysmë me Argjentinën, Lautaro: Do t’u tregoj kritikëve se e kanë gabim

03/24/2024 10:49
nga:Lorik J

Që nga nëntori i vitit 2022, Lautaro Martinez nuk ka mundur më të shënojë për Argjentinën. Një paradoks për golashënuesin më të mirë të Serisë A. Sulmuesi i Interit përfundoi në qendër të kritikave për mungesën e gjatë të golit me përfaqësuesen. As ndeshja kundër El Salvadorit nuk ishte rasti i duhur për ta gjetur sërish rrjetën.

Lojtari i lindur në vitin 1996 u mbrojt nga Lionel Scaloni pas ndeshjes, më pas e preku vetë temën:

“Problemi mund të zgjidhet me qetësi. Mundohem të tregoj vetën në fushë. I lashë njerëzit flasin, nuk më intereson shumë mendimi i tyre, sepse në çdo seancë stërvitore i tregoj trajnerit se jam gjithmonë në dispozicion të ekipit për çdo gjë, duke filluar si titullar, si zëvendësues apo në tribunë”.

“Punoj shumë për ta veshur këtë fanellë, sepse është më e bukura. Më pëlqen të konkurroj, më pëlqen të jap më të mirën. Ndonjëherë goli nuk vjen, këtë herë u përpoqa shumë, por nuk munda. Do të vazhdoj të shpresoj që në ndeshjen e radhës të kem mundësinë të shënoj, të buzëqesh sërish dhe t’u dëshmoj të gjithë atyre njerëzve që flasin aq shumë për mua se e kanë gabim.”