Lajme

Me sa vota shpërbëhet Kuvendi dhe kur shkohet në zgjedhje?-Flet hulumtuesja e KDI!

03/23/2024 20:17
nga:Y I

Ditët e fundit është folur shumë për shpërbërjen e Kuvendit dhe mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në vend.

Për këtë çështje ka folur edhe vetë kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Ai ditë më parë deklaroi se janë të gatshëm t’i bashkojnë votat me opozitën për ta çuar vendin në zgjedhje.

Sot ishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) e cila propozoi një mocion mosbesimi për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Me sa vota shpërbëhet Kuvendi dhe kur shkohet në zgjedhje?

Për të na shpjeguar më gjerësisht procedurën se kur shpërbëhet Kuvendi ka folur për “Gazeta Blic”, hulumtuesja në Institutin Demokratik të Kosovës, (KDI) Tringa Dreshaj.

Dreshaj tha se me propozimin e 40 deputetëve mund të merret mocioni i mosbesimit për kryeministrin.

Ajo shpjegoi se mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës jo me vonë se pesë 5 ditë nga dita e parashtrimit të tij.

“Rregullorja e Kuvendit neni 92 e parash një situat të tillë kur Kuvendi mund të shpërbehet me formën e votimit të mosbesimit për qeverinë aktuale. Me propozimin e 1/3, përkatësisht të 40 deputetëve të Kuvendit, mund të merret mocioni i mosbesimit për kryeministrin. Mocioni i mosbesimit, i nënshkruar nga së paku 1/3, përkatësisht nga 40 deputetë, pranohet kur për të voton shumica e të gjithë deputeteve të Kuvendit. Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës jo me vonë se pesë (5) ditë dhe jo më herët se dy (2) ditë nga dita e parashtrimit të tij. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje”

Dreshaj shpjegon se nëse mocioni i mosbesimit dështon një mocion tjetër i mosbesimit mund të parashtrohet vetëm pas nëntëdhjetë  ditëve të ardhshme.

“Nëse mocioni i mosbesimit dështon, një mocion tjetër i mosbesimit mund të parashtrohet vetëm pas nëntëdhjetë (90) ditëve të ardhshme. Shpërndarja e Kuvendit, janë përcaktuar me nenet 66 dhe 82 të Kushtetutës të Republikës së Kosovës.Ndersa pas votimit te mocionit , Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë e për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve” tha Dreshaj për “Gazeta Blic”.

Ajo tregon se zgjedhjet e parakohshme caktohen nga presidentja jo më vonë se dhjetë ditë pas shpërndarjes së Kuvendit.

“Pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga Presidenti jo më vonë se dhjetë (10) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme nuk mund të mbahen më herët se tridhjetë (30) ditë dhe më vonë se dyzetë e pesë (45) ditë pas shpërndarjes. Zgjedhjet e parakohshme rregullohen nga ligjet dhe rregullat e njëjta të KQZ-së sikurse edhe zgjedhjet tjera, përveçse KQZ-ja mund të ndryshojë afatet kohore sipas nevojës në pajtim me rrethanat. Pas shpalljes së datës për mbajtjen e zgjedhjeve, KQZ miraton afatet dhe planin e aktiviteteve të zgjedhjeve” deklaroi Dreshaj në intervistën e saj dhënë për “Gazeta Blic”

Tringa Dreshaj, Hulumtuese ne Institutin Demokratik te Kosoves (KDI)