Lajme

Kuvendi nuk publikon emrat e deputetëvee që votuan ligjin për tekste shkollore

03/23/2024 12:04
nga:Gazeta Blic

Më 7 Mars 2024, Kuvendi i Kosovës kaloi në lexim të parë ligjin për tekste shkollore, një zhvillim që në sipërfaqe duket si një hap i zakonshëm procedural.

Megjithatë, një vëzhgim më i thellë i procesit zbulon një problem thelbësor në zemër të demokracisë: mungesën e transparencës.

Burime të besueshme dhe pamje të siguruara tregojnë se në votim dyshohet se kanë marrë pjesë vetëm 60 deputetë, një numër i pamjaftueshëm për të krijuar kuorumin e nevojshëm prej 61 deputetësh për kalimin e ligjeve.

Ky veprim i Kuvendit, që vjen në kundërshtim me rregulloret dhe ligjet që kërkojnë publikimin e emrave të deputetëve votues, ngrit dyshime mbi legjitimitetin e tërë procesit.

Kuvendi i Kosovës ka heshtur për mos publikimin e emrave të deputetëve që votuan pro këtij projektligji.

Mungesa e transparencës në këtë rast vë në pikëpyetje legjitimitetin e ligjit të miratuar.