Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj mori pjesë në konferencën e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, me temë; “Hartimi i Rrugës së Kosovës: 25 vjet pas operacionit të Forcave Aleate dhe synimi për anëtarësim në NATO”.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook ku ka shpërndarë edhe disa fotografi, Haradinaj tha se diplomacia e Kosovës sado që e re, ka dhënë shembuj të krijimit të miqësive dhe roli i tyre është shumë i rëndësishëm në arritjen e synimeve tona si shtet.
“Bashkëpunimi ynë me NATO-n nisi në kohërat më të vështira për popullin tonë, në marsin e vitit 1999. Kjo aleancë politiko-ushtarake u vendos në mbrojtje të popullit të Kosovës dhe vazhduan me misionin e tyre edhe pas çlirimit, duke ofruar ndihmë në ngritjen e kapaciteve të Ushtrisë sonë dhe duke qenë garantues i sigurisë së vendit. Derisa shënojmë 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, sot me kënaqësi mora pjesë në konferencën e organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve të Kosovës, me temë; “Hartimi i Rrugës së Kosovës: 25 vjet pas operacionit të Forcave Aleate dhe synimi për anëtarësim në NATO”. Një rast i mirë për të ndërtuar një platformë për dialog konstruktiv, reflektim kritik dhe diskutime largpamëse për Kosovën në avancimin për anëtarësim në NATO. Diplomacia e Kosovës sado që e re, ka dhënë shembuj të krijimit të miqësive dhe roli i tyre është shumë i rëndësishëm në arritjen e synimeve tona si shtet. Mirënjohës për punën e ambasadorëve, konsujve dhe stafeve diplomatike. Republika e Kosovës ju falënderon”, tha Haradinaj.