Lajme

Kurti në Ditën Botërore të Sindromës Down: Shteti dhe Qeveria duhet të dëshmohen më së shumti aty ku nevojat janë më të mëdha

03/21/2024 15:50
nga:Y I

“Jam shumë i lumtur që po ju mirëpres që të gjithëve në Zyrën e Kryeministrit, në Ditën Botërore të Sindromës Down, që na bën neve edhe më të vetëdijshëm për përgjegjësinë që kemi për të ofruar kushte e qasje sa më të barabartë e të dinjitetshme për të gjithë pa lënë asnjeri prapa”, tha kryeministri Albin Kurti, në takimin me disa nga të punësuarit nëpërmjet Masës 1.6. Mbështetja e Personave me Aftësi të Kufizuara.

“Jam i lumtur që po ju pres si të punësuar dhe jam i interesuar të di më shumë për përvojat tuaja në vendet e punës që keni”, tha më tej shefi i qeverisë.

Në takimin e përzemërt në Kryeministri, i ndanë përvojat e tyre në vendet e punës, si dhe të praktikës me arsimin dual: Vjosa Asllani, Hanife Raci, Genc Beqiri dhe Agron Bilalli.

Sipas komunikatës për media, në takim u bisedua për punën që bëhet në pesë qendrat e Down Syndrome Kosova, në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan, ku përfitues direkt të shërbimeve janë mbi 300 persona me sindromë Down dhe aftësi të tjera të kufizuara intelektuale.

“Për neve si shoqatë nuk ka qenë fare rrugëtim i lehtë për të arritur deri këtu. Kemi arritur bashkë me mbështetjen e institucioneve, miqve e bashkëpunëtorëve”, tha Sebahate Hajdini Beqiri, Drejtore Ekzekutive e shoqatës Doën Syndrome Kosova.

“Shteti dhe Qeveria duhet të dëshmohen më së shumti e më së pari aty ku nevojat janë më të mëdha, e mundësitë më të pakta. Andaj, dëshirojmë që të bashkëbisedojmë se si mund të bëjmë edhe më mirë e edhe më shumë se deri më tani”, tha Kurti.

Ndërsa zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Agon Dobruna, ritheksoi përkushtimin e MFPT-së për mbështetje të mëtejme për jetësimin e të drejtave për personat me Sindromën Down dhe ata me aftësi të kufizuara.

Në takim u theksua qëllimi i gjithëpërfshirjes dhe barazisë në edukim, për çfarë Qeveria ka punësuar 250 asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta në shkolla, e deri në fund të mandatit planifikojmë t’i kemi 500.

U theksua se përderisa studimet janë bërë falas, janë ndarë bursa për 13 studente me aftësi të kufizuara. Ndërsa, nëpërmjet masës 1.6 Mbështetja e punësimit të personave me nevoja të veçanta, janë punësuar 239 persona, prej tyre 119 burra dhe 120 gra.

Kurti falënderoi Down Syndrom Kosova për bashkëpunimin, kontributin edhe në formën e ideve edhe të aktiviteteve që zhvillon. “Më vjen mirë që jeni pjesë e zhvillimeve të politikave të Zyrës së Kryeministrit, përfshirë Strategjinë për personat me aftësi të kufizuara 2024-2029”, tha ai.