Lajme

Sherifi: Kurti i mbështetur për muri për shkak të gabimeve, kjo është arsyeja pse dëshiron zgjedhje

03/20/2024 14:39
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme kurdo.

Ai tha se nëse opozita do zgjedhje, duhet të shpërbëhet Kuvendi.

“Ndoshta do të ketë zgjedhje të parakohshme, unë nuk e di, por… Për ne është krejt njësoj. Por, unë nuk mund të kem zgjedhje të parakohshme në Kosovë pa opozitën. Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi”, tha Kurti në një intervistë për Radio Evropën e Lirë.

Lidhur me këtë dhe arsyet se pse Kurti po shpreh gatishmëri tani për zgjedhje, për Gazeta Blic ka folur sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi.

Ai vlerëson se Kurti është mbështetur për muri dhe dëshiron zgjedhje, për shkak të gabimeve të tij në qeverisje, e po ashtu ta shtyjë sa më shumë zbatimin e detyrimeve nga marrëveshja e Ohrit.

“Për shkak të shumë gabimeve në këto 3 vite të qeverisjes së tij, në veçanti në raportet me aleatët, Kurti është mbështetur për muri dhe tash dëshiron të shkojë në zgjedhje, në mënyrë që ta shtyjë sa më shumë që të jetë e mundur zbatimin e detyrimeve që i ka marrë në marrëveshjet e Brukseli/Ohrit”, deklaron Sherifi./Gazeta Blic/

 

Kurti: Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet kuvendi