Geek

Ky grup i hakerëve pretendon se ka marrë më shumë se 740 GB të dhëna, përshirë ato të Viberit

03/20/2024 12:18
nga:N K

Grupi i hakerëve i quajtur “Handala Hack” kanë njoftuar në kanalin e tyre Telegram se vodhën më shumë se 740 GB të dhëna, përfshirë ato të përdoruesve në Viber.

E për ta rimarrë informacionin e vjedhur, grupi i hakerëve kërkon shpërblim prej tetë Bitcoin, që është rreth 583 mijë dollarë.

Viberi ka hedhur poshtë akuzat për ndërhyrje në sistem dhe kompromis të të dhënave, por thekson se është nisur hetim për të kontrolluar nëse siguria e përdoruesit është komprometuar.

“Pas hetimit, ne nuk gjetëm asnjë provë për të mbështetur pretendimet e ndërhyrjes në sistemet tona ose komprometimit të të dhënave të përdoruesit. Siguria e të dhënave të përdoruesit është prioriteti ynë kryesor”, ka thënë Viber.

‘Handala Hack’ është grup i njohur për sulmet ndaj caqeve izraelite dhe aleatëve të Izraelit.

Ata kanë qenë aktivë që nga fillimi i kanalit të tyre Telegram në dhjetor të vitit 2023.

Përdoruesit e Viberit këshillohen të jenë të kujdesshëm dhe të monitorojnë situatën derisa Viber të bëjë njoftim zyrtar dhe të largojë plotësisht rreziqet ndaj të cilave mund të ekspozohen të dhënat e përdoruesit.