Lajme

Miratohet marrëveshja në vlerë 90 milionëshe mes Kosovës dhe Bankës Botërore

03/19/2024 13:49
nga:Sh R

Bordi i Bankës Botërore dje ka miratuar marrëveshjen për Financimin e Politikave Zhvillimore për Politikën Fiskale, Konkurrueshmërinë dhe Rritjen e Gjelbër mes Kosovës dhe Bankës Botërore, me një vlerë prej 90 milionë euro.

“Kjo marrëveshje vjen si rezultat i veprimeve të realizuara të Republikës së Kosovës në forcimin e stabilitetit fiskal dhe makroekonomik, rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike, krijimin e një ambienti të favorshëm për investime dhe fillimin e tranzicionit drejt një ekonomie të gjelbër”, thuhet në njoftim.

Në njoftim thuhet se përmes marrëveshjes së re, e cila do të nënshkruhet muajin që vjen gjatë takimeve pranverore në Uashington, janë realizuar një varg veprimesh siç janë reforma ligjore në fushën e edukimit në fëmijërinë e hershme, përmirësimi i efiçiencës së energjisë, zvogëlimi i barrës administrative, rritja e investimeve të huaja direkte, dixhitalizimi dhe lehtësimi i të bërit tregti.

“Vendimi i Bankës Botërore për të mbështetur Republikën e Kosovës tregon përkushtimin e Bankës për të mbështetur politikat zhvillimore në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.