Lajme

I kërkohet KPK-së të sigurojë përfaqësim gjinor me zgjedhjen e anëtarit të ri nga radhët e PSRK-së

03/18/2024 13:09
nga:G B

Organizata joqeveritare i kanë bërë thirrje Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) që në përputhje me kompetencat që ka, të garantojë përfaqësimin gjinor në përbërjen e KPK-së me rastin e votimit për anëtarin e ri të Këshillit nga radhët e prokurorëve të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK).

IKD, FOL dhe INPO i bëjnë thirrje KPK-së që të respektojë Ligjin për KPK dhe Rregulloren përkatëse për zgjedhjen e anëtarëve prokurorë, kjo me qëllimin e vetëm që të sigurohet përfaqësimi gjinor siç kërkohet me legjislacionin në fuqi.

M”bi bazën e të lartcekurave, IKD, FOL dhe INPO i rekomandojnë KPK-së që me rastin e votimit për anëtarin e ri të KPK-së nga radhët e PSRK-së, të zgjedhë prokuroren Habibe Salihu si anëtare të re të KPK-së, në mënyrë që të sigurohet përfaqësimi gjinor së paku tri anëtare gra në përbërjen e KPK-së. Në të kundërtën, KPK do të veprojë në kundërshtim me Ligjin për KPK, Rregulloren përkatëse, Strategjinë për Sundimin e Ligjit dhe me standardet dhe praktikën e krijuar nga vetë ajo deri më tani”, thuhet në njoftim.

KPK nga 27 marsi 2024 do të mbetet vetëm me dy anëtare gra në përbërjen e vet. Kjo pasi anëtares aktuale Merita Bina-Rugova i përfundon mandati më 27 mars 2024. E njëjta, në këtë pozitë ishte zgjedhur më 27 mars 2019.

Për plotësimin e kësaj pozite, Këshilli kishte shpallur konkursin më 13 shkurt 2024. Këtë konkurs, KPK e kishte shpallur me vonesa duke mos respektuar afatin kohor që kërkohet me Rregulloren Nr.06/2020 për Zgjedhjen e Anëtarëve Prokurorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës, [Neni 6, par.1], ku përcaktohet se: “KPK-ja merr vendim për shpalljen e zgjedhjeve për anëtarë të saj nga radhët e prokurorëve, së paku tre (3) muaj para përfundimit të anëtarit të KPK-së”. Ky konkurs ishte shpallur një muaj e dy javë apo 43 ditë para përfundimit të mandatit të anëtares Bina-Rugova.

Pas shpalljes së konkursit për pozitën e anëtarit të KPK-së nga radhët e prokurorëve të PSRK-së, garës i janë nënshtruar prokurori Milot Krasniqi dhe prokurorja Habibe Salihu. Në zgjedhjet e mbajtura më 15 mars 2024, prokurori Krasniqi ka arritur të marrë 10 vota, ndërsa prokurorja Salihu tri vota. Kurse, dy vota ishin shpallur të pavlefshme. Në procesin zgjedhor morën pjesë 15 prokurorë të PSRK-së.