Lajme

Mbahet procesi zgjedhor për anëtar të KPK-së, Milot Krasniqi merr më shumë vota

03/15/2024 13:46
nga:Y I

Komisioni Zgjedhor nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i kryesuar nga Dardan Vuniqi dhe dy anëtarët, prokurori Agron Qalaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Sami Istrefi, kanë mbajtur sot procesin zgjedhor për anëtar të KPK-së nga radhët e Prokurorisë Speciale.

Bëhet e ditur se në bazë të kompetencave ligjore, nga radhët e PS-së, nga 16 prokurorë sa ka kjo prokurori, të drejtën për t’u kandiduar për anëtar të KPK-së e kanë shfrytëzuar prokurorët Milot Krasniqi dhe Habibe Salihu.

“Në këtë proces zgjedhor kanë marrë pjesë 15 prokurorë. Pas procesit të votimit, Komisioni Zgjedhor konstatoi se nga ky votim, prokurori Milot Krasniqi ka marrë 10 vota, ndërkaq prokurorja Habibe Salihu tre vota, si dhe dy vota të tjera shpallen të pavlefshme”, thuhet në kumtesën për media.

Tutje bëhet e ditur se Komisioni Zgjedhor do të njoftojë Këshillin Prokurorial se nga ky proces i votimit, prokurori që ka marrë më së shumti vota është Milot Krasniqi.

Procesi zgjedhor në Prokurorinë Speciale është zhvilluar pas përfundimit të mandatit të anëtares së KPK-së nga radhët e kësaj prokurorie, prokurores Merita Bina-Rugova.

Mbahet procesi zgjedhor për anëtar të Këshillit Prokurorial nga Prokuroria Speciale. 15 mars 2024. Foto: KPK