Lajme

BQK mirëpret delegacionin nga Banka e Italisë, flasin për bashkëpunim

03/14/2024 11:06
nga:N K

Zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Dardan Fusha është takuar me përfaqësuesit e Bankës së Italisë, Gianluca Maddaloni dhe Roberto Zuccala.

Sipas njoftimit të BQK-së, qëllimi i takimit ka qenë mbështetja për avancim të infrastrukturës ligjore dhe teknike, si dhe për praktikat e operacioneve me para të gatshme.

“Me këtë rast, Zëvendësguvernatori i BQK-së shprehu vlerësimet dhe konsideratat më të larta për mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës, me theks të Banca d’Italia ndaj Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, që përmes projekteve të ndryshme ka kontribuar në ngritjen e kapaciteteve dhe avancimin e shumë proceseve dhe praktikave në kuadër të BQK-së”, njofton BQK.

Fusha e njoftoi delegacionin italian edhe për luftimin e parave të falsifikuara dhe ruajtjen e integritetit të valutës Euro.

“Gjithashtu, palët diskutuan lidhur me planet dhe objektivat e BQK-së për digjitalizimin e shërbimeve financiare me fokus uljen e përdorimit të parave të gatshme, në linjë me rekomandimet e takimit të Këshillit Kombëtar të Pagesave”, vazhdon njoftimi.