Lajme

Vendimi për pronat e manastirit/ Historiani Muhadri: Kundër identitetit historik e kulturor – Qeveria të tregojë pse e pranoi aq lehtë

03/13/2024 22:38
nga:G B

Reagime të shumta ka ngjallur sot vendimi i Qeverisë së Kosovës, për kalimin në pronësi të Manastirit të Deçanit, të 24 hektarëve tokë që gjenden rreth këtij manastiri.

Lajmin e bëri të ditur kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë.

Derisa nga ndërkombëtarët u pa si vendim i duhur e i guximshëm politik, vendimi nuk u prit mirë nga kryetari i kësaj komune, historianët, opozita e analistët.

Lidhur me këtë vendim, për Gazeta Blic ka folur historiani Bedri Muhadri.

Ai thotë se vendimi është marrë me arsyetimin në të mirë të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin në KiE, por është kundër identitetit historik e kulturor.

“Vendimi i marrë është me arsyetimin në “të mirë të shtetit të Kosovës”, dhe pasur parasysh kohën e pranimit medoemos është rrugë e mirë për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Përtej aspekteve pragmatike politike, ky vendim është kundër të identitetit tonë historik e kulturor”, thekson historiani.

Muhadri potencon se janë bërë shumë kompromise në këmbim të shtetësisë së Kosovë.

“Duhet të vihet në pah se janë bërë shumë kompromise në këmbim të formimit të shtetësisë së Kosovës. Korniza e Pakos së Ahtisarit së pari kulturën e krishterë e më pas atë ortodokse në Kosovë në shek X-XV e sheh tërësisht si serbe, që nuk duhej pranuar. Duhet pasur të qartë se populli autokton në Kosovë që pranohet në historiografi thuajse plotësisht të pranuar, ka identitetin e vet kulturor e social të vetin në shek X-XV. E tëra në Kosovë kemi krishterizmin që në shek. I, që në përhapjen e saj”, vlerëson ai.

Prof. Dr. Bedri Muhadri, historian

Historiani shpjegon për Gazeta Blic se në Kosovë kanë ekzistuar e vepruar institucionet kishtare, ndër to edhe Manastiri i Deçanit.

“Në Kosovë kanë ekzistuar e vepruar institucionet kishtare. Ndër to janë edhe manastiri i Deçanit që arkeologji dëshmon kontunitetin e manastirit që në shek. IX. Pra, është objekt kulti i krishterë para se të rindërtohet me 1327-1335. Në Kosovë në mesjetë duhet të kuptohet se dallimet ortodokse e katolike në esencë nuk përbënin dallim. Kishat administrativisht ishin në administrimin bizantin e ortodoks dhe kryesisht të Krypeshkopatës së Ohrit. Pra, manastiret kanë vepruar dhe ishin institucione për popullatën arbërore, kur në këtë kohë pra shek X-XII nuk kemi popullatë sllave. Në vitet 1220 territori i Kosovës pushtohet nga sllavët-serbët. Ata kanë vepruar e sunduar afërsisht deri në vitet 1370 si shtete unitare, më pastaj kemi vetëm një pjesë e Kosovës nën sundimin serb, pra rrafshi i Kosovës, kurse Dukagjinët kishin Pejën, Balshajt Prizrenin. Në këto principata shqiptare kanë vepruar manastiret në Prizren e Pejë. Thjesht, sundimi serb nuk mund të përvetësojë kulturën identitare tonën. Identiteti ynë është mesjetar dhe me kulturën e krishterë”, shprehet ai.

Sipas Muhadrit, vendimi i Qeverisë është i dëmshëm dhe s’do të duhej të zbatohej.

“Vendimi është në dëm të identitetit tonë kulturore të Kosovës i realizuar nga kjo qeveri, e i nisur që më parë nga akterët tjerë. Vendimi s’do duhej të vinte e as të zbatohej”.

Andaj, ai shton se Qeveria duhet të tregojë arsyet pse aq lehtë e pranoi zbatimin e vendimit, derisa ka thënë se s’do ta bëjë.

“Qeveria Kurti ka për obligim të tregojë arsyet pse lehtë fare e pranoi zbatimin kur ka dhënë bindjen e tij se nuk do ta zbatojë se është jo i drejtë dhe absurdi qëndron se vendimin e kemi pranuar edhe pse është i dëmshëm, siç thotë në fund”, përfundon historiani Bedri Muhadri./Gazeta Blic/

Vendimi i Kurtit për pronat për Manastirin/ Gashi: I guximshëm, Qeveria e as VV nuk ndryshuan qëndrim

Krasniqi: Vendimi për manastirin u mor nga kundërshtuesi më i madh i saj – qytetarët të binden për kauzat e rrejshme të Kurtit

Limaj: Kurti është rreziku kryesor për të ardhmen e vendit, do të bëjë çdo gjë për të qëndruar në pushtet

Arifi: Vendimi për manastirin e Deçanit i rëndë e zhgënjyes – Kurti dëshmoi se çdo premtim i tij ishte mashtrim

Ish deputeti i LDK-së: Të qenit në krye të Qeverisë dallon nga opozita – Kurti do ta bëjë edhe Asociacionin, sikur pronat që ia dha manastirit

Vendimi për pronat për manastirin/ Humolli: S’ka befasi nga kjo qeveri, po punojnë për përçarje – kjo i përshtatet bashkësisë ndërkombëtare