Lajme

Arifi: Vendimi për manastirin e Deçanit i rëndë e zhgënjyes – Kurti dëshmoi se çdo premtim i tij ishte mashtrim

03/13/2024 19:53
nga:G B

Ish kryenegociatori i dialogut Kosovë-Serbi, Avni Arifi, ka komentuar vendimin e sotëm të Qeverisë, për bartjen e 24 hektarëve tokë Manastirit të Deçanit.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se vendimi është i rëndë dhe zhgënjyes.

“Vendimi i Qeverisë për dhënien e 24 hektarëve është vendim i rëndë dhe zhgënjyes për qytetarët e Deçanit dhe Kosovës. Për të mos u keqkuptuar, ky vendim ka qenë vendim gjyqësor dhe implementimi i vendimeve gjyqësore është obligim kushtetues për të gjithë, aq më parë kur implementimi i vendimeve si ky është parakusht për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtar si Këshilli i Evropës dhe të tjera”, thotë ai.

Arifi e quan të tillë vendimin pasi Kurti që sot e ka marrë këtë vendim, me vite i ka mashtruar të gjithë se vendimi do të zhbëhet me ardhjen e tij në pushtet.

“Po e quaj vendim të rëndë dhe zhgënjyes sepse ky që sot e ka marrë vendimin për dhënien e 24 ha, pra Kurti me vite të tëra i ka mashtruar të gjithë se me ardhjen e tij në Qeveri ky vendim do të zhbëhet”, thekson ai për Gazeta Blic.

Sipas Arifit, u dëshmua se ky premtim ishte mashtrim i Kurtit, sikur edhe bashkimi kombëtar, ndërprerja e dialogut me Serbinë, anulimi i Zajednicës, zbardha e rastit Dehari e çdo temë tjetër.

“Ky vendim dëshmoi se ky premtim ishte vetëm mashtrim elektoral i Kurtit ashti siç ishin edhe të gjitha çështjet tjera madhore, për të cilat ka qëndruar LVV dhe Kurti si bashkimi kombëtar, ndërprerja e dialogut me Serbinë, anulimi i Zajednicës, ndalja e privatizimit, zbardhja e fatit të të zhdukurve, lufta kundër korrupsionit dhe nepotizmit, ndriçimi i rastit Dehari dhe pothuajse çdo temë tjetër madhore nacionale”, përfundon Avni Arifi./Gazeta Blic/

Krasniqi: Vendimi për manastirin u mor nga kundërshtuesi më i madh i saj – qytetarët të binden për kauzat e rrejshme të Kurtit

Kurti: I kemi kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin për Deçanin

Ja si e kundërshtonte VV’ja vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit