Lajme

Krasniqi: Vendimi për manastirin u mor nga kundërshtuesi më i madh i saj – qytetarët të binden për kauzat e rrejshme të Kurtit

03/13/2024 19:40
nga:G B

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit.

Ai njoftoi në mbledhjen e Qeverisë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.

Por, Lëvizja Vetëvendosje e kishte kundërshtuar këtë vendim që tani po e zbaton.

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi.

Ajo thotë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen dhe jo të politizohen.

Krasniqi vlerëson se veprimi i Qeverisë është argument për kauza të rrejshme politike.

“Natyrisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet te respektohen dhe asnjëherë të politizohen ato. Veprimi i fundit i qeverisë Kurti është edhe një argument për kauza të rrejshme të tyre politike, dhe se këta nuk dinë të bëjnë negocim dhe t’i bindin partnerët për mbështetjen e Kosovës”, shprehet ajo.

Deputetja thekson se vendimi për pronat e manastirit u mor nga kundërshtuesi më i madh i saj, ku në të kaluarën ai i quante tradhtarë, teksa shton se ky veprim duhet t’i bindë qytetarët që Kurti ka ndërtuar kauza të rrejshme vetëm për të ardhur në pushtet.

“Vendim për pronat e manastirit të Deçanit u mor pikërisht nga kundërshtuesi më i madh i kësaj teme, madje në të kaluarën na ka quajtur tradhtarë. Ky veprim i tij duhet t’i bindë qytetarët që Albin Kurti ka ndërtuar kauzë të rrejshme dhe mashtruese vetëm për të ardhur në pushtet, e tani nuk i di kufijtë për kompromise”, potencon Krasniqi për Gazeta Blic.

Deputetja e LDK-së thotë se ende s’dihet kur do të hiqen masat e BE-së e s’ka asnjë njohje apo anëtarësim, teksa shton se LDK është pro Kosovës por kundër politikave të dëmshme të Kurtit.

“Ende i kemi masat nga BE-ja e nuk kemi kohë se kur do të largohen, nuk kemi asnjë njohje të re, asnjë anëtarësim. Ne si opozitë natyrisht që e mbështesim Kosovës në rrugën e saj integruese dhe po punojmë për këtë shumë, nuk jemi kundërshtarë të Kosovës, jem kundërshtarë të politikave të dëmshme të Kurtit për Kosovën”, deklaron deputetja Rrezarta Krasniqi./Gazeta Blic/

 

Kurti: I kemi kërkuar Agjencisë Kadastrale ta zbatojë vendimin për Deçanin

Ja si e kundërshtonte VV’ja vendimin e Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

Vendimi i Kurtit për Manastirin, kryetari i historianëve në Deçan: Sot është një ditë zie për Kosovën